Arrestohet në Rinas i 8-ti për mashtrimin me fatura fiktive me 3 mln euro dëm shtetit
Policia njofton arrestimin e të tetit, si pjesë e një grupi që kishin krijuar skema mashtruese me tatimin mbi vlerën e shtuar.
Në kuadër të operacionit “Damage” është arrestuar 60 vjeçari M.G banues në Itali.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, kanë ndaluar shtetasin M. G., 60 vjeç, banues në Itali, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Damage”, për veprën penale "Krijimi i skemave mashtruese me tatimin mbi vlerën e shtuar".
60-vjeçari, në bashkëpunim me 12 shtetas të tjerë (7 të vënë në pranga, 5 ende në kërkim) dyshohet se përmes mashtrimit, kanë krijuar dhe menaxhuar subjekte tregtare fiktive, nëpërmjet të cilave kanë qarkulluar vlera të konsiderueshme parash, të padeklaruara në organet tatimore, duke i shkaktuar kështu shtetit shqiptar, një dëm financiar prej 3 milionë eurosh.
Në shtator 2022, në kuadër të këtij operacioni, janë vënë në pranga 7 shtetas.