Ksamil, plazh në dimër

Pavarësisht se jemi në fund të nëntorit dhe temperaturat janë ulur ndjeshëm, turistët e huaj në Ksamil janë duke shijuar këto ditë duke bërë plazh. Ata shprehen se janë të mahnitur me klimën e vendit tonë, ndërsa thonë se nëse koha do të mbajë mirë do të bëjnë plazh edhe në dhjetor.

Veronika dhe Lukas nga Republika Çeke kanë mbërritur në Shqipëri në fillim të tetorit.

Temperaturat e larta i kanë joshur për të mos ju ndarë Ksamilit. Në fund të nëntorit çifti me vajzën një vjeçare shijojnë plazhin.

"Këtu është shumë këndshëm. Kemi ardhur që në fillim të tetorit e jemi me shtëpi në Sarandë e vijmë në Ksamil të marrim rreze. Ujë është shumë i ngrohtë." thotë Veronika

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Është qetësia, temperaturat e larta, deti e çmimet e lira që i mbajnë në Ksamil.

E quajnë Karaibe qytezën jugore, dhe planifikojnë të kalojnë aty dimrin, për sa kohë moti do të jetë në favor do lahen edhe në det.

Marek është një tjetër pushues që zgjedh Ksamilit në prag dimri. Ai vjen nga Polonia pas një turi në Ballkan, ka qëndruar në Ksamil për plazh në qetësi siç thotë ai.

"Kam udhëtuar përgjatë Ballkanit. Në Shqipëri jam prej një muaji. Përshtypja ime për Ksamilin është një det i mrekullueshëm që nuk e gjen në vende të tjera. Një diell dhe det kaq i ngrohtë.  Në vendin tim temperaturat mund të jenë 7 -8 gradë dhe qiellin me re"

Për Marek Ksamili është i bukur por ka infrastrukturë të dobët.

"Në Shqipëri keni probleme me plehrat. Gjithandej ka plehra në rrugë e ambiente të ndryshme kudo ku kaloj dhe kjo nuk është gjë e mirë"

Teksa i gjithë vendi ka kaluar ditë problematike si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të lartë, Ksamili me diell mirëpret jo pak të huaj që shijojnë plazhin në fund nëntor.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.