Porti i Durrësit, Gjokutaj: Atentat ndaj interesit strategjik kombëtar të Shqipërisë
Seanca maratonë e një dite më parë për diskutimin përfundimtar të Portit të Durrësit përfundoi me miratimin e plotë prej votave të mazhorancës.
Opozita kundërshtoi projektin, duke e cilësuar korruptiv, ndërsa socialistët nuk pranuan ta rishikonin.
Avokati, Genc Gjokutaj, në një intervistë për Rtv Ora thotë se ky projekt nuk plotëson asnjë element për një investim serioz, duke ju referuar qartazi si një megaaferë korruptive.
Gjokutaj: Problemi është pastërtisht korruptiv. Porti i Durrësit nuk plotëson asnjë nga elementët për tu quajtur një investim serioz pavarësisht propagandës qeveritare. Kryeministri u shpreh se është nga mrekullitë që po i ndodh Shqipërisë, por në fakt është nga fatkeqësitë më të mëdha që po i ndodh.Këto janë afera që qeveria i bën për përfitime të saja, një pjesë të të cilave e investon për pushtetin e radhës dhe të tjerat i ka për qëllimet që i ka vënë vetes.
Ai nënvizon se Porto Romano nuk plotëson asnjë kusht teknik për port të thellë.
Gjokutaj: Lidhur me anën teknike, Porto Romano nuk plotëson asnjë kusht teknik për port të thellë, është një cekëtinë ku gërmimet janë të limituara.Kjo e përjashton Durrësin si pikë strategjike që është paraparë që në vitin 1996 si pjesë e projektit të Korridorit 8. Shumë mirë nëse donte të bënte një port jahtesh për zhvillimin e turizmit, mund të bëhej në Porto Romano. Është një atentat ndaj interesit strategjik kombëtar të Shqipërisë, duke e kthyer portin e Durrësit gati 3000 vjeçar në port jahtesh dhe ndërtimesh, që siç thuhet në media, ka nisur shitja ndërkohë që nuk janë mbyllur ende kontratat.
Si jurist, ai vlerëson se ky projekt jo vetëm është antikushtetues por dhe një investim me pasojë penale.
Gjokutaj: Po kjo përbën një shkelje kushtetuese. Por nëse ky projekt do realizohet në formën si ofrohet përveç se projekt antikushtetues do të jetë një investim me pasojë penale. Por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se një drejtësi si kjo e sotmja do ta hetojë këtë investim monstruoz me shpejtësinë e kërmillit, në mos fare, si me incineratorët.
