Fshati pa fëmijë në Gjirokastër dhe me shkollë të mbyllur, banori më i ri 60 vjeç
Braktisja e zonave rurale është një problematikë e madhe në vendin tonë. Në fshatin Andon Poçi në Gjirokastër banori më i ri është 60 vjeç, ndërsa shkolla e fshatit prej 10 vitesh është mbyllur.
Shkolla 9-vjeçare, në fshatin Andon Poçi përpara 10 vitesh mblidhte rreth 100 nxënës, por sot kësaj shkolle i kanë vënë drynin, sepse në fshat nuk ka asnjë fëmijë, madje edhe të rinjtë janë larguar nga fshati.
Më i riu në fshat është një 60 vjeçar, pjesa tjetër janë të gjithë të moshuar mbi 70 vjeç, të cilët punojnë tokat për të mbijetuar.
“Kush do shkojë në shkollë, kush do të shkojë? Që të themi, nuk ka shkollë, edhe të ketë shkollë ska nxënës, asnjë fëmijë nuk ka,” tha një i moshuar.
Të moshuarit thonë se përveç shkollës, me dhjetra biznese që operonin në zone, janë mbyllur.
“Më vjen keq! po kush ma ka fajin? Kështu erdhi koha , kështu do bëjm të gjithë.Çdo bënin fëmijët këtu? Këtu ska punë. Jetoj vetëm me plakun, nuk kam as nipër as mbesa,” thanë ata.
Dikur fshati banohej nga rreth 500 banorë ndërsa sot numerohen 60 persona.