Gjokutaj: Kokaina e Fierit kap shifrën e 500 mln eurove në tregun e pakicës, trafiku burim pushteti për mazhorancën
Avokati, Genc Gjokutaj, sasia prej 430 kilogramë kokainë e përzier në 24 tonë pleh kimik, që u sekuestrua gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmë, në tregun me pakicë do të kapte vlerën e 500 mln eurove.
Për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, juristi thotë me shqetësim se rekrutimi i elementëve kriminalë në administratën shtetërore është alarmant, duke ju referuar faktit banesa ku u gjet droga e fshehur në thasët me pleh, i përkiste ish-kreut socialist të komunës Viktor Çervanaku, i cili mbante postin e drejtorit të administratës në OST.
Gjokutaj: Në shitje me pakicë 500 mln euro. Është bërë modë që zyrtarë dhe drejtues të administratës janë të përfshirë ose në afera vjedhjesh, ose në afera trafikimi. Rasti i Ujësjellësit të Laçit, incineratorët, ky qenka drejtor i OST në Tiranë. Rekrutimi i këtyre elementëve në administratën shtetërore është alarmant.
Në bindjen e tij, një trafik i përmasave të tilla nuk mund të bëhet pa mbështetjen e shtetit.
Gjokutaj: Jo vetëm që nuk bëhet pa mbështetjen e shtetit por nuk zbulohet nga shteti shqiptar. Rasti i Xibrakës u zbulua nga gjermanët, rasti tani nga DEA amerikane. Vetëm kur ndërhyjnë autoritetet e huaja bëhet e mundur goditja në parmasa të tilla pasi nuk interferojnë dot. Në të gjitha rastet e tjera dënohen fakirë, fshatarë. Për hashashin shkarkuan ca policë, tradita tregon se për 6 muaj do fillojnë punë diku tjetër. Drejtori i OST që ka tendera në duar merret me një trafik galopant të kokainës, e padëgjuar në Ballkan.
Gjokutaj shprehet se trafiku është burim pushteti për këtë mazhorancë që qeveris sot Shqipërinë.
Gjokutaj: Shqipëria u kthye në një plantacion kanabisi. Pse nuk ndodh në rajon një trafik apo kultivim i këtij përmasave. Nëse ndodh është "PO-ja" e shtetit. Trafiku është burim pushteti për këtë mazhorancë që qeveris sot Shqipërinë.
