Ligji i ri i Dosjeve, Autoriteti ka të drejtë t’i riklasifikojë, rishikim figurave, medaljeve e dekoratave
Qeveria ka miratuar ndryshimet dhe shtesat për ligjin e “të drejtës Informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës popullore socialiste të Shqipërisë”.
Kështu, sipas ligjit të dekretuar nga presidenti Begaj që hyn në fuqi për 15 ditë, janë deklasifikuar të gjitha dokumentet nga 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa theksohet se Autoriteti kur gjatë punës ndeshet me dokumente që përmbajnë informacione që lidhen me cenimin e sigurisë kombëtare, i klasifikon ato sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.
“4. Të deklasifikohen të gjitha dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të parashikuara në këtë ligj për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë.
5. Autoriteti përgjegjës për grumbullimin dhe administrimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, kur gjatë punës ndeshet me dokumente që përmbajnë informacione që lidhen me cenimin e sigurisë kombëtare, i klasifikon ato sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.”
Në ligj thuhet se çdo organ publik mund të marrë dokumente dhe çdo person është i detyruar që të bashkëpunojë me Autoritetin e Dosjeve nëse ka dijeni për një çështje të caktuar, duke vepruar në kushtet e konfidencialitetit.
“1.1 Me qëllim përcaktimin e gjendjes së fakteve dhe rrethanave që kanë lidhje me çështjen, organi publik, mund: a) të mbledhë deklarata nga palët, dëshmitarët dhe ekspertët duke garantuar në çdo rast konfidencialitetin e individëve, që ofrojnë informacion si persona të përfshirë ose në dijeni për rrethanat e çështjes; b) të marrë dokumente të tjera të dokumentuara nëpërmjet mjeteve fotografike të regjistrimit ose mjeteve të tjera teknike; c) të vizitojë dhe të kontrollojë sende apo vende të përfshira.
1.2 Çdo person është i detyruar të bashkëpunojë me Autoritetin kur rezulton se ka dijeni për rrethanat e çështjes, i kërkohet informacion si person i përfshirë ose që ka dijeni për rrethanat e çështjes, apo kur ai vetë disponon informacion që e ndihmon Autoritetin në punën e tij. Autoriteti në zbatim të këtij ligji ka detyrimin të garantojë konfidencialitetin për çdo person që bashkëpunon.”
Në ligj thuhet se çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve.
“1.1 Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjesëtim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë.
2. Me kërkesë të tij, bashkëpunëtorit apo të afërmit të tij i garantohet e drejta e njohjes dhe shqyrtimit të dokumenteve të hartuara për të dhe i dorëzohen dublikata të tyre.”
Aty parashikohet që në rast dhëniesh dekoratash, tituj nderi medalje apo emërime sheshet rrugësh e monumentesh, sërish do të kërkohet verifikim.
“e) verifikimet e propozimeve për dhënie dekoratash, titujsh nderi, medaljesh dhe titujsh vendorë të nderit, për emërtimin e rrugëve, shesheve, hapësirave publike dhe monumenteve historike, kulturore, lapidarëve, me data, emra dhe simbole që lidhen me të kaluarën e regjimit komunist, sipas përcaktimeve të nenit 30 të këtij ligji.”
