Dosjet e Sigurimit ndezin "luftën" politike para zgjedhjeve lokale

Vendimi i parlamentit në orët e vona për të miratuar hapjen e dosjeve dhe për ata që kanë certifikatën e pastërtisë prej komisioneve Mezini dhe Bezhani ka sjellë një tjetër përplasje por edhe dozën e akuzave në nisje të fushatës zgjedhore.

Për Sali Berishën, demokratët që votuan pro kanë bërë gabim pasi nisma e socialistëve sipas tij është "gjueti shtrigash".

"Hapja e debatit për "ligjin e gjahut të shtrigave" për Ilir Metën, se ai është amendament anti-Metë. Unë mendoj se deputetët që votuan kanë bërë një gabim sepse para se të votonin duhet të njiheshin me tekstin e ligjit që është dorëzuar në Parlament."

Por Enkelejd Alibeaj në mbrojtje të votës shprehet se në ligj u vendosën dhe propozimet e demokratëve për të bërë transparencë për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.

"Sa pa hyrë në fuqi ligji i votuar ditën e djeshme, publiku i gjerë, një individ, e ka të pamundur që të shkojë te Autoriteti i Dosjeve të paraqesë një kërkesë sipas ligjit për informimin publik dhe të marrë në këmbim informacionin."

Edhe Ilir Meta pranon se nisma është bërë qëllimisht ndaj tij por paralajmëron Ramën për të tjera reagime.

"Dhe çështjen e këtij ligji ca kanë bërë mbrëmë. U mbars mali polli një mi. Edhe këtu mali u mbars në korrik në mes të vapës me një email anonim dhe polli një mi më thanë se unë kam qenë në festë familjare. E meqë nuk i dalin të dy breshkat uroj që miu ta ndihmojë për ti përmirësuar frymëmarrjen për betejat që vijnë përpara. Ilir Meta është çdo ditë në terren dhe me përgjegjësi të plotë.

Jam i sigurtë që rezultati i PL-së në zgjedhjet që vijnë do të jetë spektakolar në Tiranë e në qytete kryesore. Rama e di shumë mirë që është ai shpikësi i e-mailit anonim. Loja me historinë e I.M është lojë Rama-Basha. Ndodhi kur u zëvëndësuan dy anëtarë të Autoritetit Dosjeve. Lulzim Basha nuk ka mundësi të prishë punë, ai është peng i historive të tjera".

Por Taulant Balla në emër të grupit të socialistëve deklaroi një tjetër nismë, këtë radhë për ndalimin e kandidimit.

"Nuk mund të jenë kryetarë të partive politike në një sistem politik pluralist demokratik ata që kanë qenë dikur bashkëpunëtorë në status oficeri, në status denoncuesi të Sigurimit të Shtetit."

Ndryshimi i ligjit për dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit ka ardhur pasi Autoriteti i Dosjeve dërgoi një material Kuvendit ku shprehej se Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit.

Por kjo u kundërshtua nga ish-presidenti, i cili akuzoi Autoritetin për falsifikim të dokumenteve.