Berisha akuza Ramës: Shqipërinë e kthyet në eksportuese të krimit në Europë dhe 'vrimën e zezë' të pastrimit të parave

Në diskutimet në seancën plenare për procesin e integrimit europian, kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi qeverinë se ka bërë hapa pas.

Shqipëria, tha Berisha, nën drejtimin e mazhorancës, është kthyer në eksportuese e krimit në Europë.

Jo vetëm kaq. Sipas tij vendi jonë gjithashtu është shndërruar në "vrimën e zezë" të pastrimit të parave.

Sali Berisha: Sot këtu flitet për integrimin europian, e vërteta është se ky proces në terësinë e tij për normat, ligjet, standardet që zbaton në këtë vend duhet të sjellë gjithnjë e më shumë Europë. Por ka ndodhur ajo që është më e rënda. Për fat të keq Shqipëria çdo ditë, çdo javë, çdo muaj është shndërruar në një eksportuese e frikshme e krimit në Europë. Shqipëria e etiketuar nga DASH si epiqendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, Europës, Lindjes së Mesme, Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut, po eskporton gjithnjë e më shumë drogë, krim, para të pista.

Ajo sot me indeksin më të lartë të ndërtimit në Europë që tejkalon me tre herë indeksin e ndërtimit në vendet nordike, me çmimet shumë të larta të apartamenteve, të tretat më të lartat, ajo është shndërruar sot në vrimën e zezë të kontinentit për pastrimin e parave. Ligjet, praktikat, emërimet që bëni kanë krimin dhe drogën si kriter themelor.

Integrimi nënkupton më shumë përgjergjësi para ligjit, më shumë transparencë në funksionimin e shtetit ligjor, ekonomisë së tregut. Sa i përket shtetit ligjor vendosët monizmin e plotë, që e ka katandisur Shqipërinë katër vende më poshtë se diktatura komuniste e Vietnamit. Ky monizëm e ka katandisur Shqipërinë 53 vende më poshtë se Kosova e lirë dhe e pavarur. Ky monizëm ka vendosur këtu tiraninë e vërtetë të prokurimneve sekrete, prokurimeve që janë rritur 20 herë, ka vendosur praktikat e e vjedhjeve të papara në Europë dhe botë.