PL denoncon: Punimet në Aeroportin e Vlorës u bënë pa leje ndërtimi

Partia e Lirisë denoncon punimet pa leje ndërtimi të Aeroportit të Vlorës.

"Edi Rama është kapur në flagrancë në një tjetër akt shumë të rëndë paligjshmërie. Një vit pas nisjes së punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, zbulohet se Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar vetëm në mbledhjen e datës 9 nëntor 2022, dhënien e lejes së ndërtimit.

Pra nga data 28 nëntor 2021, kur Edi Rama inaguroi nisjen e punimeve, dhe derimë tani rezulton e provuar se projekti në terren ka avancuar në shkelje flagrante të ligjit.

Skandali shumë i rëndë, provon hapur se për këtë rast, si edhe në shumë çështje të tjera të denoncuara më herët, shteti dhe prokuroria janë vënë plotësisht në shërbim të “Rilindjes” duke mbyllur sytë, pranuar dhe mos reaguar për nisjen e punimeve të Aeroportit të Vlorës në mungesë të lejes së ndërtimit, sikundër është vepruar edhe me katet, pallatet dhe kullat pa leje në zemër të Tiranës" denoncoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, z.Tedi Blushi

Një skandal i tillë vjen në një kohë kur janë bërë publike denoncimte për arrestimin e një 82-vjeçareje në Vlorë për ndërtimin e një koteci pa leje apo artistët Bojken Lako dhe Mimoza Ahmeti për riparime banese.

PL i bën thirrje SPAK të reagojë urgjentisht për rastin dhe të nisë menjëherë hetimet për çdo zyrtar shtetëror, nga Edi Rama dhe deri tek inspektori më i thjeshtë i IKMT, që ka urdhëruar, nxitur dhe mbrojtur nisjen e punimeve për ndërtimin pa leje të Aeroportit të Vlorës.