Trau me pagesë në Parkun e Divjakës, Ministria: Vlerë modeste prej 50 lekësh
Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka reaguar përmes një postimi në Facebook në lidhje me vendosjen e traut në Parkun e Divjakës.
Sipas saj nga pagesa do të përjashtohen banorët e zonës ndërsa rruga ku do të vendoset trau të lidh vetëm me Parkun e Divjakës, ndërsa bëhet fjalë për një biletë 50 lekë.
"Rruga ku vendoset sistemi i kontrollit është një rrugë që të jep akses vetëm në park dhe nuk të lidh me asnjë aks tjetër rrugor. Ajo është nën administrim nga ARRSH, e cila ka dhënë tashmë lejen për instalim.
Investimi po kryhet në kuadër të projektit “Rritja e qendrueshmërisë financiare të sistemit të zonave të mbrojtura në Shqipëri”, mundësuar nga UNDP.
Bëhet fjalë për një biletë modeste në vlerën 50 lekë, për të rritur shërbimet dhe mirëmbajtur parkun. Kjo biletë do aplikohet vetëm për turistët dhe prej saj përjashtohen banorët e zonës.
Kudo në botë, parqet kombëtare duhen mirëmbajtur në mënyrë të veçantë për shkak të frekuentimit të lartë nga turistët. Ne kemi disa raste në Shqipëri ku kjo praktikë është aplikuar si në Dajt, në Syrin e Kaltër, Kune Vain Lezhë dhe nuk ka pasur asnjë problem.
Për më tepër që banorët përjashtohen nga tarifa, e cila për turistët është simbolike, por e mjaftueshme për ta pastruar, mirëmbajtur dhe investuar në zonë, çka do të sjellë më shumë vizitorë e më shumë të ardhura për zonën dhe banorët.
Në mbështetje të VKM-së nr. 1156, datë 24.12.2020 “Për përcaktimin e të ardhurave të gjeneruara nga tarifat që paguhen në zonat e mbrojtura, të masës dhe kritereve të përdorimit të tyre”, do të bëhet edhe caktimi i vlerës së tarifës për hyrjen në park nëpërmjet këtij sistemi elektronik."