Vidhnin banesa e shtëpi, me mjetet e punës në makinë prangosen dy të rinjtë në Durrës

Tre persona janë proceduar penalisht dhe dy të tjerë janë arrestuar në Durrës pasi nga hetimet e policisë rezultojnë të përfshirë në disa vjedhje banesash e biznesesh.

Me finalizimin e operacionit policior të koduar “Pajisjet” u arrestuan për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim, shtetasit E. R., 28 vjeç dhe D. A., 25 vjeç, banues në lagjen nr.16, Durrës, pasi u kapën në flagrancë duke vjedhur pajisje të ndryshme, në një biznes (servis automjetesh).

"Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Pajisjet”, ka rezultuar se këta shtetas janë autorë dhe të 3 vjedhjeve të të tjera, konkretisht:

•Më datë 10.10.2022, kanë vjedhur në banesën e një shtetaseje, në fshatin Arapaj, Durrës;

•Më datë 12.10.2022, kanë vjedhur në banesën e një shtetasi, në fshatin Qerret, Durrës;

•Më datë 14.10.2022, kanë vjedhur në banesën e një shtetaseje, në lagjen nr.17, Durrës," njoftoi policia.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit D. A., 28 vjeç, banues në Vorë, E. Ç., 19 vjeç, banues në Durrës dhe për një 17-vjeçar, banues në Shijak.

"Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, maska, doreza, 1 levë hekuri, dhe sende të tjera të forta, të cilat dyshohet se ishin siguruar nga të proceduarit, me qëllim kryerjen e vjedhjeve të ndryshme. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, 17-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë," njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.