Porti i Durrësit, Ndoka: Rama është kapur me presh në duar si me incineratorët. Me Bashën ishte komod

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, thotë se Rama është kapur me presh në dorë me portin e Durrësit, njësoj si me incineratorët.

I ftuar në Ora News me gazetarin Everest Dedaj, ai thotë se kryeministrit ja ka vështirësuar punën opozita nën drejtimin e Berishës dhe Metës pasi me Bashën sipas tij ishte komod.

Ndoka: Rama ka një problem të madh përpara për faktin se ka dy personazhe që e njohin shumë mirë jo vetëm Rama por edhe pjesën e fshehtë sesi operon Rama me bashkëpunëtorët e tij. Përpara kishte Lulzim Bashën, ishte komod me të, e bënte pjesë të aferave të tij dhe problemi mbyllej. Ky ka qenë rrezik i madh për vendin, edhe emri i tij është lakuar te ai projekt.

Sot rikthimi i zotit Berisha i ka dhënë një garanci shumë të madhe interesit publik për mbrojtjen e taksave të shqiptarëve  dhe integritetit tonë kombëtar. Edhe rikthimi i Metës, sa ishte në rolin e Presidentit ishte i kufizuar, sot është politikan i lirë. I ka të gjithë informacionet e mundshme si po operon Rama me klanin e tij. Rama është kapur sërish me presh në dorë si me incineratorët. Po përpiqet të nxitojë, e ka humbur toruan, dhe tenton ti realizojë këto projekte me çdo çmim.

E ndërsa Rama mbrohet duke sulmuar Berishën dhe Metën me non grata dhe spiunë, Ndoka thotë se kjo është demagogji bajate.

Ndoka: Kjo është pjesë e demagogjisë, e turpshme. Ata i thonë se po vjedh pronën  publike, ky merret me non grata dhe spiunë. E banalizon.

Ai thotë se Lulzim Basha, duke qenë peng i Ramës, vijon të krijojë probleme te opozita me mekanizmat që ka në Kuvend.

Ndoka: Lulzim Basha duke qenë peng i Edi Ramës ka akoma  disa mekanizma turbullues në Kuvend që votojnë sa herë Rama i thërret nën armë, megjithë është ul niveli, sa herë i thërret Balla.Berisha e ka kuptuar lojën e tyre, nuk po merret me ta fare.

Sa i takon marrëveshjes së PDK me PD, thotë se nuk e kanë përmbyllur ende zyrtarisht.

Ndoka: Se kemi mbyllur akoma në kuptimin zyrtar. Është fat i madh që kemi zgjedhjet lokale përpara. Do hartohen listat për këshilltarë, ku testohemi dhe jemi konkurues në çdo bashki të vendit.