Durrës/ Arkat e bananeve kontrollohen një për një, dyshohet se sasia e kokainës në port ishte më e madhe

Të gjitha arkat me banane të kompanisë Bana King po i nënshtrohen një kontrolli fizik një për një në portin e Durrësit, pas zbulimit të mbi 35 kilogramëve kokainë të ardhur nga Amerika Latine. Me informacion për një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike të ardhur nga Amerika Latine në portin e Durrësit  prej të dielës, mësohet se janë vendosur edhe agjente të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Arkat me banane të kompanisë Bana King po hapen dhe po kontrollohen një për një në portin e Durrësit pas zbulimit të 35.5 kilogramëve kokainë në ngarkesën e ardhur nga Ekuadori për llogari të kompanisë së Trifon Muratajt.

Këto pamje janë regjistruar në terminalin e kontejnerëve.

Operacioni i kontrollit konfirmon raportimet se ngarkesa e kokainës së kapur është me e vogël se ajo për të cilën agjencitë partnere kishin dhënë informacion tek partnerët shqiptarë.

Kontrollet duket se synojnë të gjejnë sasinë e munguar të kokainës që dyshohet se ka mbërritur në portin e Durrësit, pse të zbulojnë një tjetër tentativë për të futur drogë në Shqipëri.

Me informacion për një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike të ardhur nga Amerika Latine në portin e Durrësit prej të dielës, mësohet se janë vendosur edhe agjente të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Burime thonë se ata do të monitorojnë kontrollin e kontejnerëve me ngarkesa të ardhura nga disa vende të cilësuara me rrezik të lartë për trafikun e kokainës.

Presidenti i kompanisë Bana King, Trifon Murataj, u shpall në kërkim, pas zbulimit të sasisë prej 35.5 kilogram kokainë në një kontejner me banane.

Për tentativën e trafikut ndërkombëtar të drogës në pranga u vunë administratori i kompanisë “Zico” sh.a,  Petrit Demishaj dhe punonjësit e skanerit Alban Naziraj e Artur Sevdaraj.