Tiranë/ 120 familje në protestë para Prokurorisë për apartamentet që i kanë blerë por s'hyjnë dot

Banorët e rrugës “Ndre Mjeda” protestuan para Prokurorisë së Tiranës duke kërkuar prej saj zgjidhje për apartamentet që nuk po i marrin në dorëzim as tri vite pas kontratave të blerjes. Ata thone se konflikti mes ndërtuesit dhe pronarit të kompleksit, i ka lënë rrugëve. Pronarët Albert Allmuça dhe ndërtuesit Sino Llanaj janë në proces gjyqësor pas mosmarrëveshjeve financiare, ndërsa në të kaluarën, përplasjet mes tyre kanë çuar edhe në konflikt me armë.

Megjithese ka kaluar 3 vite nga afati kur banorët e duhej të merrnin në dorëzim apartamentet tek pallati ne rrugën "Ndre Mjeda" konflikti mes bashkëpronarëve po i pengon ata të hyjnë në banesa.

Blerësit e apartamenteve kanë bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës dhe me anë të një tubimi para këtij institucioni, kërkuan ndërhyrje dhe drejtësi.

Avokati i banorëve u shpreh se konflikti mes Albert Allmuçës, pronar i “Star Construksion” dhe ndërtuesit Sino Llanaj është çështje tjetër që vijon në gjykatë, por nuk ka lidhje me banorët, ndaj ai kërkoi që qytetarëve të gjendet një zgjidhje.

300 familje kanë blerë hyrje nga Albert Allmuça dhe janë futur në shtëpi ndërsa pjesa tjetër e banorëve, prej 120 familjesh që kanë blerë apartamente nga Sino Llanaj nuk kanë hyrë ende në banesa, me pretendimin se pallati nuk është kolauduar nga Bashkia e Tiranës.

Mosmarrëveshjet financiare mes Allmuçës e Llanajt përveç proceseve gjyqësore, janë shoqëruar edhe me përplasje fizike e të shtëna armësh në të kaluarën në ambientet ku ndodhet kompleksi. Javën e kaluar banorët protestuan para bashkisë së Tiranës duke kërkuar zgjidhjen e problemit.