"Vijon telenovela me rindërtimin", Rama fushatë me apartamente për votat e Shijakut

Kur kanë kaluar më shumë se 9 vjet në pushtet dhe kur resurset për sigurimin e votave sa vijnë e pakësohen, socialistët votat e tyre i kërkojnë sërish përmes intimidimit në kufijtë e korrupsionit zgjedhor. Ashtu siç bëri në zgjedhjet e prillit 2021 Edi Rama sërish po përdor rindërtimin si kalin e betejës për mbledhjen e votave. Me çelësat e apartamenteve në dorë, Rama konfirmoi Elton Arbanën para banorëve të Shijakut si kandidat për zgjedhjet e 14 majit në këtë bashki.

Kryeministri Edi Rama vijon të përdorë detyrimet shtetërore të qytetarëve shqiptarë, dhe sidomos të atyre fatkeqëve që u prekën nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të 3 viteve më parë për disa vota më shumë për zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm.

Në kuadër të fushatës elektorale në Shijak, Rama u premtoi banorëve të cilëve iu prishën banesat se do të marrin apartamentet e reja pa paguar asgjë. Edhe pse ky është një detyrim i shtetit që po e vonon për afro 3 vjet, ashtu si një vit më parë, Rama në mungesë të alternativave, duket se po e përdor rindërtimin si kalë betejë për zgjedhjet e ardhshme.

”I gëzofshi shtëpitë, do i merrni me tapi dhe nuk do paguani asnjë kokërr leku. Jua bënë gjakun helm se thonin do jua shesin shtëpitë, nuk do jua japin fare. Është e juaja, ta gëzoni, mund ta shisni apo ta mbani. Bëni çfarë të doni,” tha Rama.

Gjithashtu gjatë takimit me banorët e Shijakut, kryeministri tha konfirmoi se për bashkinë do të garojë përsëri Elton Arbana.

"Ne e duam prap kryetar bashkie. Nga të gjithë kryetarët e bashkive të zonave të tërmetit ky u ka qëndruar më pranë njerëzve gjatë kësaj periudhe. Natyrisht që ka kaluar kohë, por është një kohë që e kemi shfrytëzuar maksimalisht, pavarësisht se hyri në mes pandemia dhe kriza e çmimit të energjisë," tha ai.

Një tjetër premtin që Rama i bëri qytetarëve të Shijakut ishte edhe vënia e paneleve diellore në mënyrë që familje të kursejnë më shumë.