Fshati Grykë Zezë në Lezhë pa rrugë e pa ujë
Mungesa e ujit të pijshëm dhe rrugët e baltës, janë dëshmi investimeve të munguara në Grykë Zezë të Lezhës. Banorët atje thonë se ndjehen të braktisur nga bashkia e drejtuar nga Pjerin Ndreu.
Kjo është gjendja e rrugës së fshatit Grykë Zezë, vetëm 5 km larg qytetit të Lezhës.
Aksi që e lidh këtë zonë me aksin nacionalë Lezhë-Vau Dejës, është i amortizuar dhe në ditët me shi lëvizja aty është e vështirë.
“Këtu mbushet plot me ujë, dhe kanë mall fëmijët e shkollës të kalojnë për të shkuar në shkollë,” tha një banor.
E njëjta situatë është edhe në rrugët e brendshme të fshatit.
“Vetëm duke ikur njerëzit, s'ka tjetër,” tha një banore.
Mungesa e ujit të pijshëm është shqetësimi kryesor në Grykë Zezë, pasi fshati nuk është përfshirë në projektin Ujësjellësit të qytetit.
“Më keq s'ka si jemi, vetëm të mbushim me kova. Në verë nuk vjen pika e ujit, tre muaj nuk ka ujë këtu. Ujë të pishëm nuk kemi, edhe kushdo që e ka marë ujin, e ka marrë me forcat e veta nga katundi,” thanë banorët.
Mungesa e investimeve, u ka vështirësuar jetesën banorëve të Grykë Zezës, të cilët thonë se kanë humbur besimin tek Bashkia e Lezhës dhe forca e votës, mund të sjellë ndryshimin.