Demokratët "frikë" nga primaret
Grupimet në Partinë Demokratike nuk arritën dot ti japin fund krizës brenda tyre duke thelluar dhe më tej përçarjen në partinë më të madhe të opozitës. Pikërisht se kjo përçarje ka sjellë dhe hezitimin e demokratëve për tu bërë zyrtarisht pjesë e primareve, një proces ky që po funksion për vetëm 5 bashki. 24 orë nga mbyllja e afatit të depozitimit të kandidaturave demokratët nuk kanë emra për primare në 56 bashki të vendit.
Përzgjedhja e kandidatëve që duan të bëhen pjesë e garave politike për deputetë apo kryetarë të bashkive të vendit duket një mision i pamundur për politikën shqiptare. Kjo pasi tentativa e Partisë Demokratike që të organizojë një proces të tillë po shkon drejt dështimit.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit me forcën e kartonave të socialistëve është vendosur që të shkohet me hartën e vjetër territoriale.
Dhe nga 61 bashki që ka vendi, demokratët kanë arritur të prodhojnë kandidatë për primare në vetëm 5 bashki të vendit, po të llogarisim këtu rikandidimin e kryebashkiakut të Shkodrës Bardh Spahia.
Dhe kur na ndajnë më pak se 24 orë nga përfundimi i afatit të fundit të vendosur nga Kryesia e PD-së për dorëzimin e emrave që duan të bëhen pjesë e këtyre primareve, degët e Partisë Demokratike në 56 bashki të vendit kanë dështuar të prodhojnë një garë për përzgjedhjen e njerëzve që do të përballen me kandidatët e PS-së pas 7 muajsh.
Ndonëse u premtua se primtaret do të zhvillohen në të gjitha degë të Partisë Demokratike, përveç kryeqytetit, për të cilin janë prezantuar 4 kandidatë, në primaret e PD-së numërohen një kandidat për bashkinë e Tropojës, një për bashkinë e Fierit dhe dy për bashkinë Kamëz, ndërsa 57 degë të tjera nuk kanë asnjë emër demokrati për ta prezantuar si kandidat apo kandidate potenciale që mund t’iu sigurojë atyre fitoren në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Mes zhurmës dhe thellimit të përçarjes së PD si dhe dështimit të negociatave të paqes, procesi i primareve duket se është shndërruar në kurbanin e këtij konflikti që do të prodhojë daljen e opozitës me dy kandidatë në zgjedhje, çka në fund do të favorizojë vetëm kundërshtarët e tyre më 14 maj.
4 dhjetori është përcaktuar si data finale në të cilën pritet që të qartësohen kush do jenë kandidatët tashmë jo vetëm të dalë nga primaret, por edhe të atyre që do të fitojnë besimin e kryetarëve të partive të koalicionit opozitar, si pjesë e marrëveshjes parazgjedhore mes palëve për 14 majin 2023.

