Përballë Asllan Dogjanit, Arjan Hoxha shpall kandidaturën në Primare për Bashkinë Kamëz

Arjan Hoxha, ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit prezantoi sot kandidaturën për primaret e PD-së për Bashkinë e Kamzës.

Në garën e 4 dhjetorit, Hoxha do të jetë përballë ish-deputetit Asllan Dogjani në primaret e PD-së.

Arjan Hoxha: Kur vendosa t'i bashkohem lëvizjes reformuese dhe rithemeluese të Dr. Berishës, e bëra me bindje të plotë se vota dhe vullneti i anëtarëve duhet të jetë në thelb të një partie politike. Veçanërisht një partie politike që solli idene e pluralizmit dhe votës së lirë në Shqipëri. Me këtë bindje, garova edhe në zgjedhjet për kryetar të PD-së Kamëz dhe me votëbesimin tuaj masiv, ia dolëm.

Nga dita e parë që jam zgjedhur në drejtimin e PD-së Kamëz, e kam ndjerë peshën e përgjegjësisë së këtij pozicioni. Prandaj, së bashku me ekipin drejtues të degës i jemi vënë punës për të takuar çdo demokrat, për ta falënderuar për kontributin e tij, për të dëgjuar idetë dhe për ta ftuar që të vazhdojë kontributin brenda familjes tonë politike" tha Hoxha nga selia blu.

Kushdoqë të jetë fitues, Hoxha garantoi se do të shtrijë dorën e bashkëpunimit.

Arjan Hoxha: "Në një garë të brendshme nuk ka humbës dhe fitues. Prandaj, unë dua t'iu garantoj sot se kushdoqoftë fituesi i këtyre zgjedhjeve, qofsha unë apo miqtë e mi që kanë shprehur dëshirën për kandidim, unë do t'iu shtrij dorën e bashkëpunimit dhe do t'i përfshij në ekipin tim ose do të jem pjesë e ekipit të tyre për realizimin e misionit të përbashkët që është clirimi i Bashkisë Kamëz nga pushteti korruptiv dhe i paligjshëm i Edi Ramës dhe Rakip Sulit, dhe kthimi i bashkisë tek qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit."