Ngujoi për 6 vjet famijen, babai i radikalistit fetar: Kishte probleme mendore, e mbanim me ushqime
Babai i Gjergj Laçit, 52 vjeçari që u arrestua nga policia e Tiranës për radikalizëm fetar, duke mbajtur gruan dhe dy fëmijët të ngujuar për 6 vjet ka folur sot duke treguar të vërtetën për djalin e tij.
Ai deklaroi se i biri ka qenë i sëmurë me diabet dhe ka patur edhe probleme të shëndetit mendor prej kohësh. Kjo gjë kishte bërë që ai jo vetëm të mos punonte vetë, por dhe të mos lejonte askënd në shtëpi të punonte apo të dilte nga shtëpia. Babai i të arrestuar tha se ishin familjarët që e ndihmonin Laçin me ushqime për të jetuar.
"Nuk ka mundësi të jetë radikal ai. Ai çdo xhuma shkonte e falej në xhami. Radikali nuk bën nga ato veprime që thonë këta. Njeri më të drejtë e të sinqertë nuk kishte më. Punonte me ndershmëri, si usta. Shtëpinë e vet e ka rregulluar. Fëmijët e gruan nuk i ka prekur me dorë. Për atë jam dëshmitar unë, çdo ditë kur vija nga puna, vija këtu.
Po nuk ka punuar as në firma, ndërmarrje. Bukën e gojës ja kemi sjellë ne, familjarët. E kishte si ves të vetin, as gruan se linte të punonte, as vetë jo. I kishte mbetur nga diabeti, se e ka goditur në tru, dhe ai nuk punonte. As të tjerët si linte të punonte, se mirë vetë se ishte i sëmurë.
Derisa arriti aty që u bë ajo që u bë. Probleme të shëndetit mendor ka pasur qysh herët. Ka qenë me letra në Itali, ka pas shkuar me skaf. Edhe i la letrat vetë e erdhi, la dhe punën në Itali e çdo gjë. Edhe këtu nuk punonte. Sëmundja e ka fajin. Ai duhet të shkojë në spital, jo në burg ku e kanë lënë pa insulina," tha ai.
