Marrëveshja PD - PL, Meta: Do të fitojmë Tiranën e shumicën e bashkive
Edhe Kryetari i Partisë së Lirisë e quajti moment historik firmosjen e marrëveshjes me kryetarin e PD-së Sali Berisha.
“Sot kemi marrë një mbështetje nga PD si forca më e madhe opozitare” tha Meta duke u shprehur i bindur se me këtë koalicion opozita do të fitojë Tiranën por dhe shumicën e bashkive në zgjedhjet vendore të 2023.
Ilir Meta: Jam i sigurtë që do të jetë marrëveshje historike pasi jo vetëm që do të shërbejë për rikthimin e pluralizmit politik në nivel të pushtetit vendor ku do të marrin fund bunker bashkitë, modele të nëpërkëmbjes dhe vjedhjes së taksave të qytetarëve”
Kjo është një marrëveshje që do të garantojë dhënien e fuqisë së munguar deri tani pasi kjo fuqi është marrë peng nga kapja e shtetit, nga qeveria aktuale. Shpreh bindjen më të plotë të fitores së padiskutuar të opozitës në Tiranë por dhe në shumicën dërruese të bashkive të Shqipërisë."
Në marrëveshje parashikohen 6 pika
1. Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
2. Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.
3. Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.
4. Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.
5. Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.
6. Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.