"Akuzohet për korrupsion me bashkëshortin", SPAK kërkon dënimin me 4 vjet e 6 muaj burg për Mimoza Margjekën

Ish gjyqtarja e Apelit të Durrësit Mimoza Margjeka rrezokon dënimin me 4.6 vite burg. Spak kërkoi shpalljen e saj fajtore përfshirë edhe bashkëshortin Arben Cara dhe dënimin e tij me 4 vite burg për akuzën e korrupsionit

Ish-gjyqarja Mimoza Margjeka rrezikon denimin me 4 vite e 6 muaj burg. Këtë masë dënimi kërkoi SPAK për ish gjyqtaren e cila sipas prokurorisë, duhet të shpallet fajtore për akuzën e korrupsionit, ndërkohë që për bashkeshortin e saj Arben Cara u kërkua dënimi me 4 vite burg.

Gjyqtarja Margjeka akuzohet për korrupsion dhe për marrjen e një rryshfeti 6 mijë euro për të liruar një të arrestuar për trafik klandestinësh. Bëhet fjalë për Orion Balin i cili u lirua nga qelia kundrejt “garancisë pasurore”. Sasinë e parave dyshohet se e mori bashkëshorti i saj.

Sipas SPAK, Mimoza Margjeka, Arben Cara, Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj janë nën akuzë për korrupsion pasiv i gjyqtarëve në bashkëpunim.

Prokuroria kërkoi nga 3 vite burg për Klaudio Zhillën dhe Skënder Demirajn si dhe kërkon që i pandehuri tjetër Nejton Bali të vazhdojë dënimin me 2 vite e 4 muaj në shërbim prove.

Të pandehurit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë dhënë te pandehurës Mimoza Margjeka, me funksion gjyqtare, ndërkohë që ushtronte funksionet në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, të pandehurit Arben Cara, një shumë parash prej 6000 eurosh, si përfitim të paligjshëm.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal.

Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm, ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga arrest në burg në atë të garancisë pasurore, për këtë shtetas.