"Dua të dal përballë Veliajt" Belind Këlliçi garon në primaret e PD për Bashkinë e Tiranës

Belind Këlliçi është gati të lërë mandatin e deputetit për të kërkuar drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Ish-kryetari i Forumit Rinor të PD-së, ndër deputetët më të votuar në Tiranë, vendosi që të futet në garë brenda partisë me synim mundjen e Erion Veliajt në zgjedhjet e 14 majit.

Belind Këlliçi, ka vendosur të kalojë në një tjetër sfidë, duke synuar që të përballet me Erion Veliajn për Bashkinë e Tiranës.

Por deri sa të arrijë në këtë pikë, ish-drejtuesi i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, do duhet të fitojë betejën brenda forcës së tij politike, një betejë e cila nuk është e lehtë, duke marrë parasysh faktin se për herë të parë kandidatët do të dalin nëpërmejt procesit të primareve.

"Unë i hyj me bindje kësaj gare, pikërisht sepse jam i kundërti i “modelit Veliaj”. Nuk jam i shantazhueshëm nga askush brenda dhe jashtë partisë ku kontribuoj, Në ndryshim nga Erioni, nuk jam peng i askujt që mbi kokë i tund dosjen e të ndjerit Ardit Gjoklaj, dosjen e inceneratorit të Tiranës, dosjen e Teatrit Kombëtar dhe të lejeve abuzive të ndërtimit, që janë dhënë në zonat e mbrojtura dhe kryesisht në qendrën historike të Tiranës".

Si një i ri në politikë, ku shkallët e ngjitjes kanë qenë jo të lehta, Këlliçi, tha se Tirana meriton shumë, duke e akuzuar Erion Veliajn si të korruptuar, mashtrues dhe shkatërrues të qytetit.

“Tirana ka nevojë dramatike për ndryshim. Tirana po privatizohet nga mafia e ndërtimit dhe e pastrimit të parasë me ndihmën e Veliajt. Veliaj është i vetmi që ka konkuruar Edi Ramën për keqqeverisjen e modelin antivlerë. Jam i kundërti i modelit Erion Veliajt. Dua të dal përballë Erion Veliajt e ta mundim me votë".

Ai ende nuk e ka një program për Tiranën e kjo do të shkruhet në takim me qytetarët, por u zotua  dhe foli  për të verteta të kryeqytetit, të cilat nuk duken në kamerat e propagandës.

"Ju kërkoj që bashkë t’i japim fund këtij modeli politik! Unë nuk e pranoj dot këtë model për Tiranën. Ju e refuzuat këtë model në vitin 2019, kur dhe në garë me veten, Veliaj mori 6% të votave të qytetarëve, dhe kur mijra votat e pavlefshme të administratës së Bashkisë Tiranë, u manipuluan".

Belind Këlliçi, i cili në zgjedhjet e fundit rezultoi ndër deputetët më të votuar në Tiranë, kërkoi mbështetjen e qytetarëve për të mundur atë që e quajti model i gënjeshtrës dhe shkatërrimit.

"Mbështetja juaj për mua është besa që më jepni, dhe me besë do t’jua kthej".

Është i vetëdijshëm për problemin e madh që ka forca e tij politike, ndaj e ka një thirrje të hapur për demokratët.

"Një thirrje të vecantë e kam për demokratët, sado e kudo qofshin, që e gjejnë veten të shmangur, që shohin se ideja e tyre nuk banon e plotë te Partia Demokratike. Vetëm duke shkëmbyer mund të pajtohemi. Vetëm duke u pajtuar mund të shërohemi. Vetëm të bashkuar mund të punojmë për Tiranën! Është koha që bashkia të punojë për njerëzit dhe jo njerëzit për bashkinë! Ndaj me demokratët dhe qytetarët e Tiranës, ne do të bashkohemi, si kurrë më parë".

Deputeti demokrat, rezulton që të ketë edhe mbështetjen e fortë të Ilir Metës në këtë garë për kryeqytetin e mësohet se emri i tij është mbështetur drejtëpërdrejtë nga ai në takimet që ka zhvilluar me Sali Berishën, gjatë diskutimeve për termat e marrëveshjes.

Këlliçi tha se do bëjë gjithçka të jetë kandidat i Partisë Demokratike, por dorën do ja shtrijë çdo qytetari, për ti dhënë fund shkatërrimit, mafies së betonit, shkatërrimit të trashëgimisë apo largimit të rinisë.

"Unë jam një kandidat i demokratëve, por u shtrij dorën të gjithë qytetarëve, nga qendra e në periferi, kudo, në cdo rrugë, lagje e njësi, sepse Tirana duhet të jetë e të gjithëve!"