"Marrëveshja PD - PL" Berisha: Erion Velinë do e arkivojmë në plehrat e Sharrës. I takon të jetë në qeli
“Moment historik në zhvillmin politik të Shqipërisë” e quajti kryetari i PD-së Sali Berisha marrëveshjen e firmosur sot (27 tetor 2022) me kryetarin e Partisë së Lirisë Ilir Meta.
Për Berishën momenti shënon marrëveshjen për betejën dhe fitoren e sigurtë të opozitës në Tiranë dhe në shumicën e bashkive në Shqipëri.
Sali Berisha:""Shënon fillimin e fundit të regjimit të Erion Velisë e Edi Ramës. Për të arkivuar në plehrat e Sharrës figurën më të errët që ka drejtuar në bashkinë e Tiranës që nga shpallja e saj kryeqytet deri sot, Erion Velinë, i cili në çdo vend e shtet ligjor, e me çdo ligj I takon të jetë në qeli dhe jo në garë elektorale. Me vjedhjet e tij mostruoze"
Erjon Veliaj ka dhjetra motive jo të endet nëpër rrugët e Tiranës si mashtrues apo hajn ordiner por të shkojë atje ku e ka vendin. Qytetarët e Tiranës do të flasin për të gjitha këto dhe do të godasin direkt dhe protozhenë e Erion Velisë, Edi Ramën"
Edhe Meta beson se firmosja e marrëveshjes do të sjellë fitore e padiskutueshme të Tiranës dhe shumicës së bashkive.
Marrëveshja u firmos në hotel "Tirana" dhe parashikon 6 pika
1. Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
2. Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.
3. Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.
4. Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.
5. Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.
6. Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.
