Kryemadhi në SPAK: Dorëzova prova të reja për Incineratorin e Elbasanit
Prokuroria e Posaçme mori në pyetje ish kryetaren e LSI Monika Kryemadhi në lidhje me skandalin e incineratorëve. Pas denoncimeve të vazhdueshme publike për këtë çështje ajo ka dhënë deklarime para prokurorëve. Në dalje të SPAK Kryemadhi tha se është pyetur vetëm për incineratorin e Elbasanit ndërkohë që prokuroria ende nuk ka marrë asnjë masë për rastin e Tiranës.
Ish-kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, u thirr në SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me aferën e incineratorëve.
Ajo tha se ka dhënë deklarime vetëm për abuzimet me inceneratorin e Elbasanit dhe ka dorëzuar edhe prova të reja.
"Jam thirrur në Prokurorinë e Posaçme si një nga kallëzueset krysore të çështjes së "Incineratorëve” të Elbasanit për të vazhduar dhe verifikuar të gjitha dokumentacionet që janë dorëzuar, por edhe për të vazhduar, për të shtuar dhe për të dorëzuar prova të tjera të cilat administrohen dhe do ti shtohen dosjes së incineratorit të Elbasanit."
"Ajo çka është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të kuptojmë të gjithë është se një nga arsyet kryesore në të cilat ky proces, pra i verifikimit dhe hetimit të dosjeve të incineratorit të Elbasanit, Fierit apo dhe Tiranës, është se nuk është çështje vetëm e një individi, por e gjithësistemit që ka funksionuar në administrimin dhe grabitjen e parave të qytetarëve shqiptarë. Sot paraqita disa prova të tjera që kanë të bëjnë me mashtrimin dhe vjedhjen e parave të incineratorit të Elbasanit," tha ajo.
I arrestuar për këtë incinerator është ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, dhe disa ish- zyrtarë të kësaj ministrie, ndërsa janë shpallur në kërkim dhe dy ish- administratorët Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.
Ndërkohë SPAK ka në hetim edhe abuzimet me inceneratorin e Fierit dhe te Tiranës. Për abuzimet në fier, janë vendosur nën akuzë ish-ministri Lefter Koka dhe ish- deputeti i PS, Alqi Bllako, bashkë me disa persona të tjerë, ndërkohë që spak nuk ka vepruar ende për incineratorin e Tiranës, pavarësisht shkeljeve dhe problematikave të evidentuara.