Arrestohet Gentian Malindi, dyshohet si porositësi i 137 kg kokainë

Gentian Malindi i cili prej tri vitesh kërkohej nga policia për trafik kokaine, është arrestuar të enjten në Vorë. 46-vjeçari akuzohet si porositës i 137 kg kokainë nga Amerika Latine. Ngarkesa u sekuestrua në portin e Pireut në Greqi dhe në Durrës ku ishte zëvendësuar me oriz por Malindi, arriti ti shpëtojë arrestimit asokohe, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij u arrestuan.

Arratia 3-vjeçare e Gentian Malindit ka marrë fund pasi 46- vjeçari i shumëkërkuar u arrestua të enjten pasi ndaj tij ishte lëshuar arresti nga SPAK i dyshuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që trafikoi drejt Shqipërisë 137 kg lëndë narkotike kokainë në vitin 2019.

Në momentin e ndalimit policia tha se Malindit iu u sekuestruan shuma parash dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të ky shtetas i mbante me vete si dhe automjeti me të cilin po lëvizte.

Ndaj 46-vjeçarit rëndojnë akuzat e "Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal".

Sipas dosjes hetimore Gentian Malindi së bashku më dy persona të tjerë akuzohen si trafikantë të një sasie prej 137 kg kokainë.

Hetimi për këtë sasi nisi nga autoritetet në Athinë si dhe nga DEA amerikane e cila zbuloi ngarkesën në portin e Pireut.

Në kontenierin e porositur nga Malindi agjentët e huaj vendosën një pajisje GPS me qëllim ndjekjen e ngarkesës.

Në portin e Pireut në Greqi sasia e kokainës u zëvëndësua me oriz duke lënë vetëm një pako me lëndë narkotike.

Për këtë ngjarjë në pranga janë vënë dy shokët e tij Altin Myslihaka dhe Ardian Bega, të cilët u paraqitën në terminal për të marrë porosinë më kokainë.

Sipas policisë, atë ditë pranë portit ka qenë edhe Gentian Malindi, i cili ka arritur të largohet dhe ti shpëtojë arrestimit pasi është sinjalizuar se në pakot e ngarkesës me kokainë ishte gjetur oriz.