Meta e Berisha firmosin marrëveshjen me 6 pika për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta nëshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Marrëveshja me 6 pika parasheh që kandidatët për kryetar bashkie të dalin nga primaret e organizuara nga PD ndërkohë që PL do të drejtojë me këshillat bashkiakë aty ku fiton opozita por me një kusht. "Këshillat Bashkiake do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla" thuhet në pikën 3 të marrëveshjes.
Referendum vendor, transparencë të fondeve publike dhe lufta kundër korrupsionit do të jetë në qendër të marrëveshjesjes.
Ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, firmosim marrëveshjen që vijon, pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike:
I. për shkak të korrupsionit shkatërrimtar;
II. të asgjësimit të pluralizimit politik në nivel vendor;
III. të shpopullimit masiv dhe tragjik;
IV. të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin;
V. të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe
korrupsioni.
Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia e Lirisë, dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.
Si Berisha dhe Meta e quajtën moment historik firmosjen e marrëveshjes e cila synon fitoren e zgjedhjeve vendore.
Sali Berisha: "Dy janë qëllimet më madhore të marrëveshjes: shkallmimi i autoritarizmit të Edi Ramës dhe groposja politike e zdromsit të Tiranës në Sharrë. Po e përdor një term që e nxori vetë dhe të rinjtë e bënë si trendy"
Ilir Meta ““Ky është tren që është nisur dhe qëllimi kryesor duhet të jetë fitorja e zgjedhjeve vendore.Objektivi kryesor është çmontimi i këtij regjimi monist në nivel vendor dhe ndëshkimi maksimalisht në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Nuk e shohim thjesht si marrëveshje për ndarje pushtetesh në nivel vendor por për ne është e rëndësishme rikthimi i demokracisë. Për asnjë bashki nuk do të ketë problem ne raport me PD apo parti te tjera që negocion si kryesore. Respektojmë primaret dhe nuk do të kërkojmë që të lihet ndonjë bashki por të gjendet mënyra më e mirë e pjesëmarrjes së kandidatëve në primare. Në çdo rast PD dhe PL do të kenë një kandidat në çdo bashki të vendit”
Po a do të jetë Meta kryetari i këshillit bashkiak të Tiranës?
Ilir Meta: "Se çfarë del nga korridoret e fugës nuk është një përgjegjësi e jona. Koha e bunker-bashkive ka perënduar njëherë e përgjithmonë".
Pas marrëveshjes me PL do të pritet rezultati i negociatave me grupimin e Enkelejd Alibeaj. Ndërsa në nëntor dalin rezultatet me emrat kandidatë për kryetarë bashkie.
Marrëveshja u firmos në hotel "Tirana" dhe parashikon 6 pika
1. Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
2. Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.
3. Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.
4. Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.
5. Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.
6. Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.
