Kokainë e përzier me oriz nga Ekuadori, SPAK kërkon 13 vite burg për Ardian Begën, 18 për Myslihakën
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur konkluzionet përfundimtare për dy të pandehurit e Ardian Bega dhe Altin Myslihaka të akuzuar për trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri. I akuzuar për këtë ngjarje është edhe Gentian Malindi, i cili ndodhet në kërkim prej dy vitesh dhe për këtë shkak, procesi ndaj tij është pezulluar deri në vendosjen në pranga.
Prokuroria e Posaçme dha konkluzionet përfundimtare për dy nga të akuzuarit Ardian Bega dhe Altin Myslihaka të arrestuar për trafikimin e 137 kilogramëve kokainë nga Ekuadori në Shqipëri ne kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Përfaqësuesi i akuzës kërkoi 18 vite burg për Altin Myslihakën, që nga gjykimi i shkurtuar shkon në 12 vite burg dhe 13 vite për Ardian Begën, të cilit me gjykim të shkurtuar dënimi i shkon në 8 vjet e 8 muaj burg.
Dy të pandehurit akuzohen se së bashku me Gentian Malindin, si personat që morën nga porti i Durrësit sasinë e lëndës narkotike që ishte zëvendësuar në portin e Pireut, Greqi, me oriz me qëllim dorëzimin e kontrolluar dhe kapjen e pritësve të saj në Shqipëri.
Në konkluzionet përfundimtare prokurori, Edvin Kondili, tha se porositësi i sasisë së lëndës narkotike është Gentian Malindi, i cili është shpallur në kërkim dhe procesi ndaj tij është pezulluar pasi policia nuk ka mundur ta arrestojë.
Sipas prokurorisë, për përfshirjen e tij në këtë trafik ka përgjime telefonike ndërkohë që sinjalizimet për lëndën narkotike kishin ardhur nga autoritetet greke.
Kokaina ishte porositur në Ekuador, ndërsa u zëvendësua nga policia me oriz në portin e Pireut, Greqi ndërkohë në Shqipëri është bërë dorëzim i kontrolluar.
Pasi kontenierët kanë qëndruar për 26 ditë në Pire ku janë bërë disa takime me palën shqiptare greke dhe koordinimin e DEA-s zyrës kundër drogës së SHBA-ve me seli në Athinë është vendosur dorëzimi i kontrolluar e më pas lejimi për udhëtim drejt Shqipërisë në Portin e Durrësit.
Pas tri ditëve lundrim në det katër kontenierët të cilët grupi i Gentian Malindit i priste me kokainë në Durrës kanë prekur tokën shqiptare mbrëmjen e 17 shtatorit në orën 21:24 minuta ndërsa 19 shtatori të thirrur nga Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega paraqiten në terminal dhe hapin një nga kontenierët duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore.
Në pako të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136kg oriz si dhe 1 kg kokainë në të cilën kishte të montuar pajisjen e lokalizimit satelitorë GPS qe i ka zbuluar.
Gentian Malindi, është pronar i një kompanie për tregtimin e produkteve të detit, i arrestuar më herët me lëndë narkotike ndërsa arrestuari Mislihaka ishte pastrues në anijen e peshkimit të Gentian Malindit, leje dhe akses për t'u futur në portin e Durrësit.
