Një orë protestë te Ministria e Brendshme dhe Kryeministria: Çuçi ik! Drejtësi për Learin!
Dhjetëra të rinj dhe anëtarë të shoqërisë civile dolën në protestë pas vdekjes së mistershme të 32-vjeçarit Lear Kurti, i cili ndërroi jetë teksa po shoqërohej nga policia e Tiranës.
Protesta nis para Ministrisë së Brendshme, ku mes thirrjeve "Çuçi ik" dhe "Kush e ka radhën", nuk mungonin as sirenat e policisë si një shenjë rreziku.
Gjatë fjalës së tyre ata kërkuan jo vetëm dorëheqjen e ministrit Bledi Çuçi por edhe dënimin e efektivëve të përfshirë në këtë ngjarje, pasi sipas tyre thjesht masa e pezullimit nuk është e mjaftueshëm për ta.
"Duhet ti themi boll kësaj paçavureje. Reagimet tona duhet të jenë sa më të forta për të treguar se nuk mund të na shkelni dot me këmbë. Jepe dorëheqjen vrasës! "
"A ka drejtësi në Shqipëri? Këta policë a u shërbejnë shqiptarëve? Këta policë me uniformë a kanë kryer vrasje?"
Ndërkohë aktivistja Nertila Haxhia u ndje keq gjatë protestës së sotme para Ministrisë së Brendshme.
Ndërsa mbante fjalën para mediave me thirrje ndaj policisë që të investohet në parandalim dhe reabilitim dhe jo vrasje, ajo humbi ndjenjat dhe u nevojit ndërhyrja e protestuesve të tjerë dhe ambulancës për ti dhënë ndihmën e nevojshme.
Protestuesit më pas u zhvendosën para Kryeministrisë.
E pas thirrjevepër drejtësi për vdekjen e të riut Lear Kurti ata ndezën qirinj në shkallët e Kryeministrisë dhe mbajtën një minutë heshtje.
Organizatorët bënë me dije se protestat do të vijojnë, e data për protestën e radhës do të njoftohet përmes rrjeteve sociale.



