Policia numëron paratë: Në portin e Durrësit u kapën 522 mijë euro, në pranga shoferi dhe pronari i autobuzit

Policia e shtetit ka finalizuar operacioni e  koduar “Eurot”, ku janë kapur plot 522 mijë euro në portin e Durrësit të futura në qese.

Paratë janë kapur nga kontrolli i specializuar i Task Forcës së Policisë të futura në tavanin e një autobusi, pasi u tentua që t’i kalonin të padeklaruara.

Ndërkohë, policia ka vënë në pranga dy persona: E. Ç., 32 vjeç, banues në Lushnje, pronar dhe drejtues i autobusit; D. K., 36 vjeç, banues në Tiranë dhe A. C., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndihmësit e drejtuesit të autobusit.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas një hetimi njëmujor në lidhje me tentativën për të futur një sasi të madhe eurosh të padeklaruara dhe mallra të kontrabanduara, në vendin tonë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit të Durrësit dhe autoritetet doganore në këtë port, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Eurot”. Në kuadër të operacionit është ndaluar autobusi i linjës Padova - Lushnjë, me drejtues shtetasin E. Ç., 32 vjeç. Gjatë kontrollit paraprak, shërbimet e Policisë kanë konstatuar mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të autobusit janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 522 000 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me mallrat e dyshuara të kontrabanduara që u gjetën në brendësi të autobusit (kafe, cigare, pije alkoolike, ilaçe, kuti me mentesha, karroca për fëmijë, elektroshtëpiake dhe veshmbathje)” – njofton policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimn dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale.