“Kam ardhur në vendin e krimit” Rama për incineratorin e sekuestruar të Elbasanit: Ju hoqëm helmin!

Kryeministri Edi Rama ka vizatuar ditën e sotme qytetin e Elbasanit ku ai tha se incineratori i Elbasanit hoqi malin e plehrave nga qyteti dhe pluhurin.

Rama u shpreh se kështu iu dha Elbasanit mundësia që mbetjet t’i mbledhë dhe t’i përpunojë në një impiant ultra modern.

Edhe pse objekti tashmë është nënë sekuestro dhe për të një ish-ministër ndodhet në burg dhe SPAK është duke hetuar çështjen, Rama duket se është mundur të shmanget nga këto gjëra.

Rama: Sot ne jemi këtu në Elbasan dhe po më thoshte Damiani që, nuk e di kush nga këta xhagajdurët thoshte: Po shkon Edi Rama në vendin e krimit. Pse? Për inceneratorin. Cili është krimi? Që malin e plehrave në mes të qytetit që e bënte Elbasanin që në këtë orë të mos e shihte mirë atë diell, por ta kishte qiellin këtu mbi nivelin e pallateve paksa zënë nga një disk pluhuri që në fakt ishte helm, nuk ishte as pluhur, e hoqëm dhe që i dhamë Elbasanit mundësinë që mbetjet t’i mbledhë dhe t’i përpunojë në një impiant ultra modern, për këtë, jo vetëm që nuk ndihem në asnjë lloj mënyrë të kem bërë ndonjë punë të keqe, por mendoj se është një nga punët më të mira që janë bërë për Elbasanin.

Dhe akoma më mirë ai impiant është për arsye që të gjitha bashkitë e qarkut të krijojnë një kompani, një kompani publike më në fund. Është eksperienca e parë e krijimit të një kompanie publike të përbashkët të qarkut, për t’i mbledhur të gjitha mbetjet dhe për t’i depozituar në një pike, e cila i ka të gjitha kushtet. Dhe është ide shumë e mirë e kryetarit të bashkisë që kjo kompani të fillojë të bëjë, jo vetëm përpunimin duke marrë plotësisht në zotim impiantin sepse iu thuhet njerëzve janë vjedhur 450 milionë, po mirë ky impianti këtu, i cili sot është pronë publike dhe të cilin sot e ka bashkia dhe do ta shfrytëzojë për shumë e shumë vite me radhë, a është aty apo s’është aty? Që do të thotë që për atë janë shpenzuar para, që do të thotë që pjesa që ka të bëjë me korrupsion, që ka të bëjë me vjedhje është një segment i gjithë kësaj pune të madhe për të cilin heton prokuroria, ndëshkon gjykata.