Protesta për Learin, pyetja e të riut: Kush e ka radhën të vritet nga policia?!
Dhjetëra qytetarë të mbledhur sot te Ministria e Brendshme kërkuan dorëheqjen e ministrit Çuçi dhe kreut të AMP Ardi Veliu për vdekjen e të riut Lear Kurti në duart e policisë.
Ndëshkim shembullor kërkuan dhe për policët që janë përgjegjës për vdekjen e tij.
Një i ri në protestë ngriti pyetjen: Kush e ka radhën të vritet nga policia e shtetit?
"Para dy vitesh bëmë një protestë për vrasjen e të riut Klodian Rasha. Dolëm me arkivol në krah dhe shkrimin kush e ka radhën? Radhën e kishte Jonada. Pastaj pas Jonadës radhën e kishte Leari. Pyetja që ngremë sot është kush e ka radhën? E kam unë, një nga ju këtu, një nga ata që po sheh televizor, kush e ka radhën? Sa ditë do kalojnë? Kush do vritet prapë nga policia?
Sa do zgjasë kjo çmenduri dhe situatë absurde? Jemi bërë qesharak si popull. Po na vrasin natën, ditën kur të duan dhe nuk ngremë kokë. Kemi vendosur të nënshtrohemi.Një thirrje për të gjithë ata që rrinë rehat te divani, a nuk ju vjen turp more? Si mund të rrini në shtëpi? Policia vret qytetarët. Kush është reagimi i institucioneve? Policët sot janë me kamera, pse nuk dalin? Pse i fshehin?"
Ndërkohë avokatja dhe aktivistja Adriana Kalaja apeloi qytetarët të vrasin frikën dhe të revoltohen ndaj padrejtësive.
"Si nënë, si grua, si qytetare nuk mund të refuzoja të vija sot këtu. Sot këtu vijmë për Laertin, për djalin që forca barbare e këtij pushteti e ndaloi të kthehet në gjirin e familjes, djali që u rrit jetim, djali i vetëm i një nëne që sot është veshur në të zeza. Asnjë nga ne nuk di emrat e policëve vrasës të Learit. Sakohë në krye të AMP është në krye një kriminel me emrin Ardi Veliu kjo gjë do ndodhte. E kemi denoncuar që në maj të 2020, dosjen e ka në SPAK. Jeni dëshmitarë si manipuloi provat për Klodian Rashën, për ngjarjen e Elbasanit, për fëmijën 15-vjeçar të dhunuar në parkun e Liqenit Artificial. Ai sot nuk arrestohet dhe përgjigjet para ligjit.
Sot duhet të kontrollojë abuzimet me detyrën të vartësve të tij, të atyre që ky urdhëron të marrin jetën e të rinjve. Më bëri përshtypje si disa deputete rilindase refuzuan të mbajnë një minutë heshtje, ato nuk janë nëna. Ne duhet të ngremë zërin sot, nuk duhet të tërhiqemi deri në dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm dhe dorëheqjen dhe arrestimin dhe të drejtorit të AMP. Çdo prind duhet të jetë këtu, vriteni frikën! Duhet të jemi bashkë për të kërkuar drejtësi për Learin ndryshe ky vend do braktiset, do mbushet me kufoma, nuk do ketë të ardhme".

