Me sirena policie, protestuesit te Kryeministria: Edi Rama, dil dhe jepi llogari popullit!
Pas protestës para Ministrisë së Brendshme, të rinjtë e mbledhur për vrasjen e Lear Kurtit marshuan në bulevard drejt Kryeministrisë.
"Edi Rama unë e di që ti ke një mision, të shpopullosh dhe të vrasësh shqiptarët. Dil dhe jepi llogari popullit jepi llogari asaj nëne që kur të zgjohet në mëngjes nuk do të ndjejë më aromën e djalit të saj.Populli nuk harron. Do të vijë dita që do të ndëshkohesh. Dhe ty do të tërheqin zvarrë" tha një prej protestuesve.
"Një qeveri kriminelësh dhe banditësh që vrasin qytetarët orët e vona të natës për hiçgjë. Shumica e policisë është e mbushur jo vetëm me njerëz të terrorit dhe dhunës por me militantë partie. Një pyetje për këta policë këtu: A jeni baballarë, motra dhe nëna? Po sikur ai person të ishte fëmija juaj, vendoseni veten në vend të babait që djali ju vra nga policia. Në polici më e rëndësishme është mjekra se jeta e shqiptarëve. U bëj thirrje shqiptarëve mos heshtni, mos flini gjumë! Të gjithë sëbashku kundër një qeverie kriminelësh që vrasin dhe faji mbetet jetim" u shpreh një tjetër.
Pas fjalimeve protestuesit ndezën qirinj në shkallët e kryeministrisë si homazh për të riun që humbi jetën në duart e policisë. Nuk mungoi edhe hedhja e flakadanëve.
Protesta nisi në orën 20:00 dhe u mbyll në orën 21:00. Edhe pse u monitorua nga uniformat blu gjatë tubimit nuk pati incidente.








