SPAK mbyll hetimet për Kardhiq-Delvinë, nën akuzë Sonila Qato dhe motra e Dallëndyshe Bicit

Prokuroria e Posaçme SPAK i ka dhënë fund një hetimi 3 vjeçar ndaj zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili ka ndjekur procedurat tenderuese për zgjedhjen e firmës që ndërtoi rrugën Kardhiq-Delvinë, me vlerë gati 60 mln euro.

Prokurori Altin Dumani, prej disa ditësh ka thirrur zyrtarët e marrë të pandehur, duke i komunikuar akuzat për vepra të ndryshme si “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të pabarazizë në tendera”.

Burimet kanë bërë të ditur se mes personave të marrë të pandehur janë vënë nën akuzë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Numri i të pandehurve besohet se është në 9 zyrtarë, ku mes të cilëve janë vënë nën akuzë Sonila Qato në cilësinë e ish-drejtores së ARRSH-së dhe Elona Gogo, e cila ka qenë kryetarja e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në praktikën e hapur për ndërtimin e rrugës.

Elona Gogo, rezulton të jetë motra e Dallëndyshe Bicit, e cila aktualisht drejton Inpektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Prokurori Dumani që ka hetuar rastin mësohet se është në fazën përfundimtarë të komunikimit të akuzave personave të pandehur për ti kaluar më pas për shqyrtim gjyqësor.

Kallëzimi penal është bërë në SPAK në muajin shtator 2019 nga kompania “Gjoka Konstruksion”, e cila pretendoi se është përjashtuar në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore nga prokurimi.

Pas kësaj vijimin e punimeve e mori kompania e “Vëllezërve Hysa”.

Situata solli një përplasje dhe mes klaneve breda Partisë Socialiste, duke sjellë edhe dorëheqjen e Sonila Qatos nga posti i drejtimit të Autoritet Rrugor Shqiptar.