E linçoi Sandër Kovaçin si shiks, Berisha-Ramës: Damian Gjiknuri ka punuar 3 vite në SHISH, se kam përmendur ndonjëherë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli nga foltorja këtë pasdite në seancën maratonë të kësaj të enjteje ku akuzoi sërish kryeministrin Rama se ka rrënuar sistemin universitar.
Ai dënoi sulmin e Ramës ndaj pedagogut Sandër Kovaçi për të cilin është shprehur se ka punuar në SHISH.
Nga Foltorja e Kuvendit, Berisha i kujtoi Ramës se sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri ka punuar për 3 vite në SHISH.
Berisha: Përsëri në Parlament nxin me mungesën e tij, njeriu që kryeson një organizatë kriminale në pushtet dhe që kalon nga skandali në skandal. Njeriu që me energjinë e tij negative, përpiqet t’i shkatërrojë këtij vendi, atë që është ndërtuar me vështirësi. Sulmet ndj universiteteve janë të paktën, shekuj mbrapa, janë kryekëput antishqiptare. Janë të rrezikshme për të ardhmen e vendit. Ky njeri, gjenerator negativiteti. Betejën kryesore e ka bërë me artistët.
Bëri gjithçka derisa i rrënoi teatrin. Ky njeri ruan, konservon për artistët atë qëndrim që mbanin etërit e tij ndaj tyre. I ati ishte skulptor por firmosi të varin një poet në vitin 88’. Ky nuk mund të firmosë varje më, por firmos shkatërrimin e teatrit. Rrënimin e universiteteve. Nuk firmos dot varje, por firmos largimin masiv të mjekëve nga Shqipëria dhe u thotë qytetarëve se Italia ka mungesë të theksuar mjekësh. Italia është numri i dytë me më shumë mjek në botë.
Italia ka 4 mjek për 1 mijë banorë. Shqipëria ka 1 mjek për 1 mijë banorë. (I drejtohet ministres Manastirliu). Notere e vdekjes së shqiptarëve gjatë pandemisë, mos më fol pas shpine. Sulmon pedagogun se ka shërbyer në organin e sigurisë kombëtare. Më keni dëgjuar mua të përmend Damian Gjiknuri që ka punuar 3 vite në SHISH. Atë ia quaj meritë unë. Ndërsa ai ka tre ditë që i thotë shqiptarëve se Sandër Kovaçi ka punuar në SHIK, nën drejtimin e tij.
