Vettingu i pedagogëve, Beqa: Shantazh i kryeministrit, nëse ka korrupsion në Universitete, përgjegjëse është qeveria
Pedagogu i Universitetit të Durrësit, Mentor Beqa, e cilëson një përpjekje shantazhuese të qeverisë tentativë për vetting në radhët e pedagogëve.
I ftuar në Rtv Ora, Beqa thotë se pedagogët nuk kanë asgjë për të fshehur nga pikëpamja financiare.
Sa i takon pretendimeve për korrupsion në Universitete, Beqa thotë se nëse ka përgjegjëse sërish është qeveria dhe jo pedagogët.
Beqa: Pedagogët shqiptarë nuk kanë çfarë të fshehin. Pavarësisht se pretendimi i qeverisë për vetting të pedagogëve është absurd në vetëvete jam i bindur se pedagogët janë të hapur përkundrejt çdo kontrolli financiar në aspektin e pedagogëve. Normalisht do të ishte e denjë që të iniciohej një vetting nga pikëpamja akademike, sa i përket cilësisë së stafit akademik.
Ai lloj venttigu bën sens, ndërkohë vettingu financiar i pedagogëve është krejtësisht pa sens por i mirëpritur. Ajo çfarë fshihet pas kësaj është një përpjekje për të shantazhuar pedagogët dhe një pjesë fare të vogël që sipas qeverisë janë të korruptuar. Ajo pjesë e korruptuar brenda stafit akademik në radhë të parë na turpëron ne. Nëse ka korrupsion brenda Universitetit nuk janë përgjegjës pedagogët, është qeveria e cila ka të gjithë instrumentët dhe mekanizmat për të luftuar korrupsionin. Bujrum, lufto korrupsionin! Nuk mund të akuzohen pedagogët me një pretendim të përgjithshëm për korrupsion, kjo është demagogji, propagandë.
Në gjykimin e tij, qasja e qeverisë është e mbrapshtë, nuk është për të zgjidhur problemin, por për të përdorur problemet si mjete shantazhi dhe për të ulur presionin ndaj qeverisë.

Beqa: Kryeministri nuk do të lejojë asnjë lloj vatre rezistence që mund të krijohet potencialisht duke krijuar probleme për qeverinë e tij.
Sipas tij do të ishte e udhës që kjo protestë të mos shndërrohet në konflikt.
Beqa: Është kthyer në konflikt në mënyrë të panevojshme nga kryeministri. Pedagogët kanë bërë një kërkesë krejtësisht legjitime. Pedagogët nuk kanë rritje të pagës nga 2004. Ndërkohë pagat e gjithë pjesës së tjetër të shoqërisë janë rritur në mënyrë graduale, stafi akademik nuk ka rritje të rrogës nga 2004. Sot marrim të njëjtën rrogë me atë që kemi marrë në 2004. Inflacioni nga 2004 e deri më sot është 40%, ne marrim në terma realë më pak sesa në 2004 dhe kjo nuk ka kuptim, jemi në kushtet anormaliteti.
Pedagogët kanë kërkuar të rikuperohet ky anormalitet. Qarkullojnë shifra fantastike të pagave të pedagogëve.Ata që përbëjnë pjesën masive të pedagogëve, doktorët e shkencave që janë lektorë në Universitet, paga neto e një lektori është 75 mijë lekë.Shifrat e tjera që qarkullojnë janë të rreme. Kjo pagë nuk ka lëvizur nga 2004. Brezit të epërm Profesor i Asociuar dhe Profesor madje i është ulur për shkak të politikave fiskale të qeverisë, nuk ka rritje por ka ulje.Gjëja e parë që qeveria duhet të bënte ishte të indeksonte inflacionin. Brenda këtij vendi në terma zyrtarë është 8.1%, kryeministri thotë do të rrisim pagën me 7%. Nuk indekson as inflacionin e këtij viti.
Beqa thotë se kryeministri po zbaton një strategji në disa fronte për të mbyllur protestën. Ndërkohë lidhur me drejtuesit e universiteteve, ai thotë se nëse ata dalin kundër kërkesave të pedagogëve dhe nuk janë në shërbim të kërkesave të tyre, nuk kanë më legjitimitetin për të drejtuar universitetet.
Beqa: Ka një strategji të kryeministrit për ta mbyllur protestën, për ta deligjitimuar. Ka disa elementë. Së pari kërkon ta politizojë, ta shtyjë protestën drejt PD. Protesta është e pedagogëve të këtij vendi, nuk ka asnjë motiv partiak, por ka kërkesa të qarta dhe të prera. Kryeministri nuk kishte asnjë arsye ta shndërronte në konflikt. Së dyti kryeministri po përpiqet ti vendosë pedagogët në konflikt me pjesën tjetër të shoqërisë.Përmend pagat e zjarrfikësve, të policëve, të mjekëve etj. Të gjitha janë paga të ulëta por nuk janë pedagogët përgjegjës por kryeministri.
Pedagogët janë për ngritjen e pagave në të gjithë sektorët aq sa e lejon logjika ekonomike e vendit. Por në këtë rast kemi dalë për çështjen tonë që është specifike dhe e paadresuar në 18 vite. Së treti, pjesë e kësaj strategjie të kryeministrit është kouptimi i drejtuesve të universiteteve. Drejtuesit e universiteteve nëse dalin kundër kërkesave të pedagogëve dhe nuk janë në shërbim të kërkesave të pedagogëve ata nuk kanë legjitimitetin për të drejtuar universitetet. Drejtuesit e universiteteve zgjidhen nga vetë pedagogët. Nëse drejtuesit kundërshtojnë kërkesat krejtësisht minimaliste të pedagogëve atëherë kanë humbur legjitimitetin e tyre në sytë e stafit akademik.

