“Kujt i bie dhjeta”, shembjet sipas qejfit të Veliajt

Bashkia e Tiranës vijon me nismat e saj abuzive për të nxjerrë banorët nga shtëpitë e tyre e për të ndërtuar mbi bazë interesash pa i lajmëruar më parë mbi projektet e saj që më shumë hedhin hije dyshimi për abuzime, sesa i shërbejnë komunitetit. Shumë familje ndihen të braktisura, teksa institucionet ua mbyllin derën pa i dhënë zgjidhje kur ata kërkojnë një përgjigje për fatin e tyre.

Në mungesë të shkresës zyrtare, OSHEE me urdhër të Bashkisë Tiranë shkon në këtë pallat për tu prerë dritat banorëve.

Motivacioni është fakti se ky pallat do të shembet, për projektin e rindërtimit nga tërmeti.

Këtë shqetësim ngrenë këta banorë në lagjen e Kombinatit, të cilët shprehen se akti i ekspertizës e klasifikoi të banueshëm.

"Ekspertiza turke tha se pallati rri pa riparim. Këta pa vendim, pa gjë i presin dritat."

Edhe në këtë rast banorëve nuk u është dhënë asnjë dokument e sot banesave të tyre u ka rënë lapsi për tu prishur.

"Një plakë e vetme nuk kam ku vete, shtëpia nuk ka asnjë plasje. Të na nxjerrin nga shtëpia është shumë e zorshme."

Të detyruar për të marrë shpjegime për një letër fotokopje që u është dhënë, ata u paraqitën edhe pranë njësisë bashkiake nr.6.

Por punonjësja i drejtoi në zyrën e administratores, e cila papritur nuk ndodhej më aty.

Të shqetësuar se ku do të qëndrojnë dhe përballë dyerve të mbyllura, ata shprehen se nuk do të dalin nga banesat pa marë siguri për dëmshpërblimin.

"Përditë këtu do të jemi".