"Mos flisni për bizneset tuaja!" Felaj acaron Shehaj: Ju u bëtë milionerë në këtë Kuvend! Ajo e referon në Byro
Denoncimi i deputetit demokrat Agron Shehaj se prej tre javësh kryeministri i mban të mbyllur biznesin me polici pa asnjë urdhër gjykate apo prokurorie si hakmarrje politike ndaj tij shkaktoi debate në Kuvend.
Ishte drejtuesja e seancës Ermonela Felaj, që i tërhoqi vëmendjen Shehaj se është në konflikt interesi dhe nuk mund të flasë për biznesin e tij në Kuvend.
Kaq mjaftoi që Shehaj të humbë qetësinë, duke i risjellë edhe njëherë në vëmendje akuzat ndaj Xhaçkës dhe Gjiknurit, që çuan policinë te biznesi i tij.
Por Felaj insistoi se Shehaj është në shkelje të kodit të rregullores dhe sjelljes dhe ftoi Byronë e Kuvendit të mblidhet dhe të vendosë për marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit.
Ermonela Felaj: Në respekt të kodit të sjelljes së Kuvendit të Shqipërisë më duhet t'ju kujtoj që një pjesë e fjalës tuaj ju vuri në konflikt interesi sepse detyrimi i të gjithëve ne është të flasim për shqetësimet e zgjedhësve dhe jo të referojmë shqetësime të biznesve tona private. Kodi i sjelljes e përcakton qartësisht këtë gjë, unë tërheq vëmendjen për këtë pjesë sepse zbatimi i rregullave që përmban kodi i sjelljes nuk janë diskrecionale. Salla e Kuvendit, debati parlamentar, debati politik nuk mund të përdoret për të adresuar të tilla shqetësime që do të trajtohen aty ku i trajtojnë të gjithë qytetarët. Drejtuesi i seancës ka detyrimin të sigurojë respektimin e kodit të sjelljes.
Agron Shehaj për procedurë: Nuk ishte e lehtë për mua të vendosja të flisja për këtë çështje por ajo që bën përshtypje në këtë sallë është që jo vetëm kjo mazhorancë është thellësisht e korruptuar por është dhe e pafytyrë. Arsyeja pse unë fola nga foltorja ishte sepse ajo fopltore ka shkaktuar reagimin e Edi Ramës.Për arsye të gjërave që unë kam thënë dhe denoncuar nga ajo foltore Edi Rama ka dërguar policinë te ambjentet e biznesit tim për të më intimiduar dhe mbyllur gojën. Ju mund të më hiqni vërejtje sa herë të doni, unë çdo herë që do shkoj te ajo foltore do të them atë që unë mendoj se duhet thënë, çfarëdo lloj gjëje qoftë ajo. Si kur vidhni, si kur shpallni veten tuaj investitorë strategjikë dhe si kur sulmoni anëtarët e opozitës.
Ermonela Felaj: Vetëm se në rastin që ju kërkoni fjalën për procedurë, flisni për procedurë.E keni shumë të qartë diferencën.
Oerd Bylykbashi: Zonja kryetare e seancës, do kisha uruar të mos bënit këtë koment që bëtë. E kam marrë fjalën për procedurë dhe do ta vazhdoj për procedurë. Kodi i Etikës së Kuvendit nuk ka asnjë autoritet mbi Kushtetutën e Shqipërisë, këtu jemi përpara qasjes së qeverisë në lidhje me mënyrën sesi i trajton të drejtat e njeriut, sesi trajton interesat ligjore të tyre. Dhe kur kjo i ndodh një deputeti, vetëm mendoni çfarë u ndodh atyre qindra mijëra bizneseve që bëjnë punë të ndershme.
Agron Shehaj: Nëse mendoni se do më mbyllni gojën me këto rregullat që nxirrni kur ju do qejfi ju rrezikoni të bëheni qesharakë. Trajhtimi i çështjes sikur unë erdha këtu dhe mbajtja një fjalim për tu kujdesur për biznesin tim është një idiotësi. Ngrita një shqetësim, shqetësimi im është se kemi policinë e shtetit që ka tre javë, nuk po bën thjesht një inspektim, ka tre javë që ka hyrë në ambjente private. Nuk erdha ditën e parë të bërtisja po sulmohem politikisht. Prita tre javë.
Ju nuk keni moralin të më tregoni se unë nuk duhet të vi këtu dhe të flas për biznesin tim. Ky parlament është biznesi juaj, ju këtu biznesin e keni krijuar dhe jeni bërë milionerë dhe nuk mund të më thoni mua që unë nuk mund të dal atje të ankohem për një shkelje skandaloze, një sulm politik.Pse? Sepse thashë që ministrja bashkë me Edi Ramën në bashkëpunim dhe me mashtrim kanë bërë kunatën dhe burrin e ministres investitorë strategjikë, kanë marrë pronën publike. Thashë që Gjiknuri, kompanisë të cilës i dha tendera kur ishte ministër e bëri ortak me kushëririn e tij. Me firmën e Edi Ramës, të dy bashkë i bëri investitorë strategjikë.Kjo është arsyeja pse policia është te zyrat e mia.Kam 20 vjet që merrem me biznes.
Ndërhyn Felaj.
Agron Shehaj: Nuk kam mbaruar.
Ermonela Felaj: Shoh monitorin, zoti Shehaj së pari ju ftoj të hiqni dorë nga toni që po përdorni në Kuvend. Së dyti ju ftoj të reflektoni nga çdo gjë që thatë më parë. Së treti, në bazë të nenit 29 të kodit të rregullores dhe sjelljes i kërkoj Burosë Parlamentare që të mblidhet dhe të vendosë për rastin tuaj për marrjen e masës disiplinore sepse ju po vijoni. Deputetët në Kuvend nuk kanë imunitet nga ndjekja penale.Nuk ju tha askush asgjë për çfarë konsideratash patët për kolegët e mazhorancës. Ju tërhoq vëmendja mos flisni për bizneset tuaja në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, për asnjë arsye.
