Rama i kthen përgjigje Shehajt: Godina po konfiskohet se është pa leje, biznesi yt u gjet brenda

Kryeministri Rama ka reaguar lidhur me akuzat e deputetit demokrat Agron Shehaj se është orkestruar një sulm ndaj biznesit të tij pas fjalës në Kuvend.

Rama shkruan se Shehaj bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje duke shtuar se ndërtesa është bllokuar është bllokuar si e paligjshme nga IKMT.

Rama: Deputeti Agron Shehaj paska marrë zjarr nga sulmi policor i orkestruar politikisht mbi biznesin i tij, që ia paska mbyllur policia e regjimit për t’i mbyllur gojën zotit Agron! Pyes dhe ç’të dëgjoj?! Zoti Deputet që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje!

Ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit. Deputeti me biznesin e tij janë gjetur brenda ndërkohë që pronari pretendonte se e kishte hotel!

Duket e pamundur që një deputet të bëjë biznes në një ndërtesë të paligjshme dhe t’i turret Policisë nga mikrofoni i parlamentit, duke marrë pozën e një viktime të regjimit për fjalën e tij lirë, por kur merr vesh që ky tip është një ballist foltoreje atëherë shpjegohet gjithçka!