Kovaçi i tha se ka marrë shpërblim prej tij për punën në SHISH, Rama: S'ka shans të marrim parasysh kërkesat fyese
Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikat me kreun e Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, duke ju referuar si një shiks i maskuar si sindikalist.
"Krenar që ka qenë shiks i kohës së zezë të 97-ës le të jetë sa të dojë, po një shiks i maskuar si sindikalist për të importuar zullumin e nongratave e të rublave në hapësirën universitare, s’ka asnjë shans të merret seriozisht në kërkesat e tij fyese për këtë situatë lufte".
Më herët Sandër Kovaçi deklaratën e Ramës në adresë të tij se në krye të grevës së pedagogëve është një i SHIK-ut e konsideroi një retorikë boshe.
Ai i sugjeroi Ramës të rrisë pagat e pedagogëve nëse do që greva të ndërpritet dhe se ka punuar në Shërbimin Informativ dhe ka marrë shpërblim nga Rama për punën e shkëlqyer.
"M’u kërkua të punoj si drejtor i analizës në Shërbimin Informativ dhe kam dhënë kontribut deri në vitin 2015 dhe unë e quaj intimidim ndaj atij institucioni.Deklarata të papërgjegjshme. E kam për nder që kam kontribuuar për atë institucion për një periudhë më shumë se 2-vjeçare dhe kam punuar për atë kryeministër dhe ka marrë shpërblim ai departament për punën e shkëlqyer nga Rama. E quaj për nder që kam punuar në një institucion serioz dhe shpresoj që të jetë dhe sot një institucion serioz”, tha Kovaçi.
Ai më tej sqaroi se ndërpreu marrëdhënien e punës në SHISH për të ndjekur karrierën akademike.
