Rama ekselentëve: Do merrni rrogë 340 mijë lekë në Shqipëri, por nuk do ta merrni diplomën për 3 vite

Ndërkohë që është duke u përballur me protestën e pedagogëve, duket se kryeministri Rama mund të bëjë “armiq” edhe studentët ekselentë.

Kështu, ditën e sotme nga kryeministri ai tha se qeveria do të ndalojë financimet për studentët ekselentë për të studiuar jashtë vendit.

Po ashtu Rama, bëri me dije se studentët që do të rrinë në vend do të paguhen me rrogë minimale, për rreth 200-400 studentë, por të cilët nuk do të marrin dot diplomën për 3 vite.

Rama: Unë e ë shumë mirë, nuk diskutohet, që të studiosh në ato universitete që janë ndër më të mirat e botës, do të thotë që të hysh me garancinë që kur del, po arrite të dalësh deri në fund sepse janë shumë selektive, direkt do të të vijnë të të kërkojnë kompani dhe studio prestigjioze avokatie dhe sisteme të tjera duke të ofruar punë, se kështu është kur je në majë. Por, të firmosësh një marrëveshje me shtetin tënd për t’i marrë para nga taksat një numri të madh prindërish dhe të thuash “Unë do shkoj të studioj dhe pastaj do kthehem këtu” dhe jo vetëm të mos kthehesh por as të mos kujtohesh të bësh një letër dhe të vihesh në dispozicion, në një mënyrë ose në një tjetër, duke thënë “E kam të pamundur të kthehem sepse më erdhi Steve Jobs dhe më mori në punë por jam në dispozicion”. Kjo është shumë, shumë e tepërt dhe boll.

Kështu që, ne nuk do financojmë më studime jashtë, por do financojmë UFO-t këtu, pra, ata si ju apo të tjerë, kuptohet më të gjitha ato kritere dhe do bëjmë një financim të konsiderueshëm duke mos dhënë një bursë, por një pagë, një pagë minimale natyrisht, por një pagë, për çdo student që është i këtij niveli.  Sigurisht që, tek mjekësia, tek ato që janë degët prioritare do të fokusohemi dhe nga 20 në vit, me këtë sistem që kemi zgjedhur ne do të financojmë mes 200 dhe 400, në varësi se nuk i parashikojmë ne, në varësi nga numri që kemi dhe duke parë dhe mesataren sesi ka qenë, midis 200 dhe 400 ne do japim një pagë për çdonjërin, por ama askush që do hyjë në këtë sistem nuk do ta marrë diplomën përpara 3 vjetësh. Që do të thotë, je mjek, do të financojmë, do punosh 3 vjet mjek, patjetër, këtu dhe pastaj do marrësh diplomën me të gjitha nderimet e nevojshme dhe je i lirë të rrish këtu apo të shkosh jashtë, pa problem. Aq më tepër që është e padiskutueshme që 3 vjet eksperiencë në vendin tënd, edhe në kushtet e vështira të vendit tënd, e bëjnë më të fortë kandidaturën tënd.

Deklaratat Rama i bëri në ceremoninë e dhënies “Medalja e Artë” për nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute.