Ekspertiza Paraprake: 32 vjeçari Lear Kurti vdiq pasi gëlltiti qeset me kokainë për të mos ia kapur policia

Ekspertiza paraprake ligjore zbardh shkakun e vdekjes së 32 vjeçarit Lear Kurti. Burime zyrtare nga mjekësia ligjore bëjnë me dije se I riu ka gëlltitur kokainë që i kanë shkaktuar vdekjen.

Thuhet e ka pasur dy qese me kokainë dhe i ka gëlltitur me qëllim që të mos ia kapte policia e cila ishte vënë në ndjekje të tij, informon gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi.

Çfarë ka ndodhur?

Agjencia e Mbikqyrjes Policore tha se rreth orës 23:07 (19 tetor 2022), Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit Nr. 3 gjatë kontrollit të territorit, ka konstatuar në rrugën “Riza Cuka”të riun të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, AMP bën të ditur se Lear Kurti është larguar me vrap.

Punonjësit e policisë e kanë ndjekur dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer edhe shoqërimin e tij në komisariat. Sipas njoftimit fillestar të Agjencisë, gjatë shoqërimit ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Një version i tillë i dhënë nga ministria e brendshme u hodh poshtë nga Spitali i Traumës paraditen e së enjtes. Spitali tha se 32-vjeçari kishte vdekur më herët dhe nuk kishte shenja jete, e për pasojë, nuk është pranuar fare në urgjencë, por është adresuar në morgun e kryeqytetit pasi nuk kishte puls.

Burime të hetimit thanë se shokë të 32-vjeçarit kanë shkuar tek komisariati 3 gjatë kohës që Kurti mbahej aty dhe i kanë njoftuar se i riu vuante nga probleme shëndetësore.

Ndërkohë kryetari i PD-së, Sali Berisha hedh akuza se i riu humbi jetën nga dhuna policore gjatë shoqërimit të tij në komisariatin nr 3.