Bashkimi i PD-së vetëm për vendorët? Negociatat s'i mbyllin plagët e çarjes së madhe
Sekretari i grupit parlamentar të PD-së Arbi Agalliu zbardh negociatat mes demokratëve për bashkimin sa më të shpejtë të tyre. Ndërsa ngul këmbë që PD-ja të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet vendore, Agalliu thotë se ardhja në pushtet e PD-së do të ndodhë kur kjo parti të bëjë ndryshimin e elitave të saj dhe të pastrohet nga personat me të kaluar të dyshimtë.
Partia Demokratike është përfshirë në një betejë ekzistenciale për të ardhmen e saj, atë të paqes mes vetë demokratëve.
Pas takimit mes të mandatuarve të demokratëve të të dyja kampeve që nisën të martën me takimin Paloka-Bardhi duket se janë ndezur dritat e shpresës për një bashkim të shpejtë mes tyre.
Dhe nxitimi për këtë bashkim shpjegohet vetëm me përfaqësimin e partisë më të madhe të opozitës në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Sekretari i grupit parlamentar Arbi Agalliu thotë se deputetët po ecin në të njëjtën linjë drejt një kandidati të vetëm.
Arbi Agalliu: “Shpresoj mos të kemi zhvillime të njëanshme por të kemi stopim të tyre deri në arritjen e një dakortësie lidhur me modalitetet .Në momentin që nuk vijojnë më negociatat, secila palë do të marrë vendimet e veta. Nuk dua të mendoj dhe të analizoj nëse, nëse…por dua të qëndroj pikërisht në këtë moment tek dalja me një kandidat të vetëm”
Por pavarësisht procesit që po ndodh në skenë, në prapaskenë negociatat nuk pritet të shërojnë plagët që shkaktoi ndarja e madhe e 13 muajve më parë.
Edhe pse palët pretendojnë, të paktën publikisht, se vula dhe “non grata” nuk janë më çështje diskutimi, Agalliu thekson se që Partia Demokratike të rikthehet në pushtet duhet të shkëputet nga e kaluara e saj.
Arbi Agalliu: “Partia Demokratike në pushtet nuk kthehet kurrë e përçarë. Partia Demokratike në pushtet nuk kthehet kurrë me individë të caktuar të cilët kanë problematika në të shkuarën. Partia Demokratike do të kthehet në pushtet vetëm atëherë kur të ketë bërë qarkullimin e elitave dhe te shikohet drejt së ardhmes në mënyrë të pa diskutuar krahas aleatëve strategjikë të Shqiperisë që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian”
Pro kauzave kolektive, pro besnikë ndaj foltores së parlamentit.
Arbi Agalliu: “Deputetët e Partisë Demokratike,protestën më të mirë kanë sallën e Parlamentit”
