Vdekja e Learit në Komisariat, Berisha u bën thirrje të rinjve të ngrihen në protesta të mëdha
Kryetari i PD-së Sali Berisha kërkoi të mbahet një minutë heshtje në kuvend për vdekjen e Lear Kurtit pasi u ndalua nga policia por kërkesa u refuzua.
Maxhoranca bëri sikur nuk e dëgjoi dhe Berisha doli në oborrin e Kuvendit ku përmes një prononcimi për medien i bëri thirrje të rinjve të ngrihen të protestojnë kundër dhunës policore.
Rastin e vdekjes së Lear Kurtit, Berisha e krahason me atë të Klodian Rashës i cili u vra nga një efektiv policie. Berisha tha se policia po gënjen si në rastin e Klodianit dhe se 32 vjeçari vdiq nga torturat e policisë.
"I bëj thirrje të gjithë të rinjve të ngrihen në një protestë shumë të madhe. Të protestojnë kundër kësaj vrasje mizore, me torturë. E kanë vdekur në makinën e policisë. E kanë çuar të vdekur në spital.
Nuk kanë kryer as gjërat më minimale ndaj një viktime. Siç e patë parlamenti i tyre refuzoi të mbajë një minutë heshtje, qëndroi në anën e vrasësve jo të viktimës. Ky është një akt i shëmtuar"
"Policia është e mbushuar me vrasës e trafikantë, me patronazhistë e kriminelë. Po të marrësh vrasjet që kanë ndodhur në Shqipëri në harkun kohor të 18 muajve janë më të shumta se në SHBA dhe Europë.
Këtu mbetet vetëm protesta dhe përballja me këta banditë si rrugë shpëtimi për garantimin e jetës," vijoi Berisha.
Vdekja e të riut mbrëmjen e 19 tetorit 2022, pasi u ndalua nga një patrullë policie po "përplas" Autoritetin e Mbikëqyrjes Policore dhe Spitalin e Traumës.
Teksa në deklaratën e saj sot, AMP deklaroi se 32 vjeçari Lear Kurti ishte dërguar në spital dhe kishte humbur jetën atje, burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se i riu ka mbërritur pa shenja jete.
