Shqipëria nën monitorimin e rreptë të BE-së e OSBE-së për reformën në drejtësi

Shqipëria do të jetë në monitorim të rreptë nga Bashkimi Europian sa i përket zbatimit të reformës në drejtësi dhe pavarësisë së institucioneve të reja. Në fokus të kësaj mbikëqyrjeje do të jetë lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar.

Kështu deklaroi ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Christine Hoffmann në ceremoninë e 30 vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

Christine Hoffmann: BE dhe shtetet e saj anëtare do të vijojnë të monitorojnë nga afër ecurinë në çështje të rëndësishme si pavarësia e gjyqësorit dhe ecurinë e bilancit të cështjeve të nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është përgjegjësia e brezit tonë t’i çelim rrugë së ardhmes të Shqipërisë si anëtare e BE-së. Kjo është e ardhmja që duan shqiptarët.

Ambasadorja deklaroi se reforma në drejtësi ka dhënë rezultate dhe se Gjykata Kushtetuese duhet të ketë profesionistë reputaconi i të cilëve të mos vihet në diskutim.

"Nuk ka qenë as i lehtë dhe as persosur, por legjitimiteti i Reformës është konfirmuar gjithmonë. Reforma po sjell rezultate. Gjykata Kushtetuese ka kaluar në situata të vështira dhe duhet të përbëhet nga profesionistët më të mirë ligjor, ku reputacioni i tyre mos të diskutohet.

GJK shpresoj të ketë 9 anëtar. Kjo gjykatë luan një rol shumë të rëndësishëm. Kjo është një nga arritjet më të mëdha për integrimin e Shqipërisë në BE. Kujtojmë se kemi ndërmarrë edhe Konferencën e Parë me BE-në dhe drejtësia është një nga prioritetet kryesore. BE do të monitorojë procesin për një gjyqësor të pavarur".

Në të njëjtën linjë u shpreh dhe ambasadori i OSBE-së Vincenzo Del Monaco, i cili tha se demokracia dhe e ardhmja e vendit varet nga aktiviteti gjyqsor.

Ndërsa kreu i qeverisë Edi Rama nuk i kurseu akuzat ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij është një ngrehinë.

Por Rama refuzoi të ndiqte fjalimin pas tij, atë të ambasadores amerikane Yuri Kim.

I pranishëm në konferencën ndërkombëtare “Roli i Gjykatave Kushtetuese në Demokracitë e Reja”, organizuar me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë ishte dhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj i cili në fjalën e tij e vuri theksin tek transparenca dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë, si një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtë.