Mashtronin të huajtë për të investuar, arrestohet administratori dhe punonjësja e një Call Center tek Pazari i Ri

Policia e Tiranës ka arrestuar sot administratorin dhe një punonjëse e një Call center që mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.

Gjithashtu u shpall në kërkim pronari i subjektit të paregjistruar në organet tatimore.

Si rezultat i operacionit  “Last call 2”  u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– S. N., 24 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti call center;

– R. S., 25 vjeçe, banuese në Tiranë, e punësuar si operatore në këtë subjekt.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim pronari i këtij subjekti, shtetasi B. H., 36 vjeç, banues në Tiranë.

"Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi S. N. administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin B. H., në zonën e Pazarit të Ri.

Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishte e punësuar si operatore shtetasja R. S., e cila, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex," njoftoi policia.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit B. H.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Operacioni policor u kodua “Last call 2” dhe është call centeri i dytë që është goditur brenda dy ditësh. Dje u godit një tjetër call center.