Vdekja e 32 vjeçarit pas ndalimit/ Policia mohon të ketë ushtruar dhunë, nuk u mor as në pyetje
Vdekja ende e paqartë e të riut pas ndalimit nga policia mbrëmjen e 19 tetorit 2022 tronditi opinionin publik. Policia mohon të ketë ushtruar dhunë ndaj 32 vjeçarit Lear Kurti.
Burime për Ora News bëjnë me dije se Lear Kurti 32 vjeç ka mbërritur me shenja të rënduara shëndetësore në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë.
Madje policia thotë se nuk ka mundur as të futet brenda godinës për tu marrë në pyetje, ndërsa është ulur në një karrige në oborrin e komisariatit, ku është njoftuar edhe urgjenca.
Policia mohon se është ushtruar dhunë ndaj të riut dhe se për këtë ata thonë se mund të verifikohen kamerat e sigurisë
Ndërkohë që gjendja e të riut përkeqësohej, efektivët kanë vendosur ta shoqërojnë me automjetin e tyre dhe gjithë ky moment është fiksuar nga kamerat e sigurisë.
Policia pretendon se momenti i ndalimit të Kurtit nga efektivët, ka ndodhur pranë një supermarketi në "Don Bosko", i cili rezulton të ketë kamera sigurie në ambientet e jashtme, dhe kanë filmuar momentin e ndalimit e të shoqërimit.
Efektivët e policisë kanë mohuar të kenë ushtruar dhunë apo të ketë patur përplasje fizike me të ndjerin, ndërsa do të jetë në duart e ekspertizës mjeko-ligjore që do hedhin dritë mbi këtë pretendim si dhe për rrethanat e ngjarjes.
Burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se Lear Kurti është proceduar të paktën 3 herë.

