Vdekja e të riut në Tiranë, Berisha: Kam prova se është vrarë nga policia në makinë
Sipas kryetarit të PD, policia e shtetit gënjen për vdekjen e 32-vjeçarit, pasi ai pretendon se ka fakte dhe prova që Lear Kurti ka humbur jetën nga dhuna e ushtruar nga efektivët e uniformave blu.
Pasi kërkesa e tij nuk u dëgjua nga socialistët për të mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e të riut Lear Kurti, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nga ambjentet e jashtme të Parlamentit ka akuzuar uniformat blu për vrasje.
"Dora kriminale e vrasësve me uniformë që i morën shpirtin një 32-vjeçari pas mesnate. Ky është një krim i shëmtuar."
Ish-kryeministri pretendon që ka prova për të gjithë aksionin ndaj të 32-vjeçarit, duke përgenjështruar deklaratën zyrtare të Policisë Shtetit.
“Po, po kam fakte. Policia gjithnjë gënjen, siç tha për Klodian Rashën. Prisni kur të na thonë se në një pellg ishte një revole. E kanë ndjekur, pse nuk paraqiti dokumentin, në një distancë të gjatë shumë. E kanë kapur, e kanë futur në makinë.
Janë sjellë shtazërisht me të dhe burimi thotë se në komisariat e kanë sjellë pa ndjenja ose të vdekur. Nuk kanë marrë autoambulancë, nuk kanë thirrur autoambulancë, nuk e kanë çuar në spital, por de fakto në morg. Gjithçka tregon se është dora kriminale e vrasësve me uniformë që i morën shpirtin një 32-vjeçare. Kishte 1000 mënyra të tjera për t’u sjellë ndaj atij të riu” tha ai.
Ky është rasti, sipas Sali Berishës, që të rinjtë do të duhen të solidarizohen dhe të dalin në protestë kundër dhunës shtetërore ndaj qytetarëve të këtij vendi.
"I bëj thirrje të gjtihë të rinjve të ngrihen në një protestë shumë të madhe, të protestojnë kundër kësaj vrasje mizore, me torturë. E kanë vdekur në makinën e policisë. E kanë çuar të vdekur në spital. Nuk kanë kryer as gjërat më minimale ndaj një viktime. Siç e patë parlamenti i tyre refuzoi të mbajë një minutë heshtje, qëndroi në anën e vrasësve jo të viktimës.
Policia është e mbushuar me vrasës e trafikantë, me patronazhistë e kriminelë. Po të marrësh vrasjet që kanë ndodhur në Shqipëri në harkun kohor të 18 muajve janë më të shumta se në SHBA dhe Europë. Këtu mbetet vetëm protesta dhe përballja me këta banditë si rrugë shpëtimi për garantimin e jetës," vijoi Berisha.
Ndërsa opozita akuzon policinë e shtetit për vrasje, Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi ende nuk është shprehur me asnjë qëndrim për vdekjen e Lear Kurtit në rrethana të paqarta.

