Tiranë: 32 vjeçari, Leart Kurti vdes në duart e policisë. Autopsia: Gëlltiti qese me kokainë

32-vjeçari, Lear Kurti, vdiq në duart e policisë së Tiranës në një ngjarje të ngjashme me rastin e Klodian Rashës. Agjencia e Mbikqyrjes Policore tha fillimisht se i riu u ndoq e u ndalua në rrugë dhe u ndje keq gjatë shoqërimit në komisariat e më pas vdiq në spital. Por burime nga spitali i Traumës thanë se Kurti është çuar aty pa shenja jete nga policia e për rrjedhojë është adresuar në morg. Autopsia ka konstatuar se i riu kishte gëlltitur një qese me kokainë në momentin e përballjes me policinë. Viktima kishte precedent penalë për drogë dhe vjedhje, ndërkohë që gjatë mbajtjes në komisariat shokët e tij kishin informuar policët se i riu kishte probleme shëndetësore.

Një 32-vjeçar nga Tirana është viktima e radhës në duart e policisë së shtetit. Lear Kurti humbi jetën pasi u shoqërua gjatë natës në komisariatin nr.3 nga patrullat që kryenin kontrollin e territorit. 

Agjencia e Mbikqyrjes Policore tha se rreth orës 23:07 (19 tetor 2022), Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit Nr. 3 gjatë kontrollit të territorit, ka konstatuar në rrugën “Riza Cuka” të riun të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, AMP bën të ditur se Lear Kurti është larguar me vrap rrugicave, duke mos iu bindur urdhërit.

Punonjësit e policisë e kanë ndjekur dhe rreth 200 metër më larg, kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”.

Aty i riu dhe policët kanë qëndruar rreth 7 minuta, dhe më pas është bërë shoqërimi në komisariat.

Sipas njoftimit fillestar të Agjencisë, gjatë shoqërimit ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit.

I riu është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Në një njoftim të dytë rreth orës 15.30, AMP tha se vdekja e Kurtit ishte konstatuar në spitalin e Traumës.

Një version i tillë i dhënë nga Ministria e Brendshme u hodh poshtë nga spitali i Traumës, i cili tha se 32-vjeçari kishte vdekur më herët dhe nuk kishte shenja jete, e për pasojë nuk është pranuar në urgjencë, por është adresuar në morgun e kryeqytetit pasi nuk kishte puls.

Burime të hetimit thanë se shokë të 32-vjeçarit kanë shkuar tek komisariati 3 gjatë kohës që Kurti mbahej aty dhe i kanë njoftuar se i riu vuante nga probleme shëndetësore.

Deklarata e spitalit vë në dukje se Lear Kurti ka vdekur ose në komisariatin nr .3 ose gjatë transportimit nga aty për në urgjencë, ndërkohë që familjarët qëndruan në pritje për të marrë trupin e të riut tek mjekësia ligjore e Tiranës deri në orën 12.30.

Rreth orës 14.00, burime zyrtare nga mjekësia ligjore bënë me dije se 32-vjeçari ka gëlltitur një sasi kokaine në momenin e ndjekjes nga policia, çka i ka shkaktuar atij vdekjen.

Njoftimi i dytë i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, thekson se në autopsia ka konstatuar në trupin e Lear Kurtit, një qese plastike të çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5x5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike.

Ndërkohë policia ka thënë se 32-vjeçari ka precedent penalë për lëndë narkotike, plagosje të rëndë dhe vjedhje.

Në deklaratën e dytë, AMP thotë se në trupin e viktimës nuk janë gjetur shenja dhune, me përjashtim të kyçeve të dorës ku ishin vendosur prangat.

Sipas AMP, hetimi paraprak nuk ka gjetur veprime të paligjshme nga punonjësit e policisë.

Lear Kurti jetonte në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në kryeqytet me nënën dhe njerkun.

Në moshën 1-vjeçare ai ishte birësuar nga shtëpia e fëmijës.

Vdekja e tij është ngjarja e dytë e rëndë për policinë e Tiranës pas vrasjes së Klodian Rashës dy vjet më parë.

LAJMI SIÇ MBERRITI NE REDAKSI  

Ora 14: 03 Del Autopsia: 32 vjeçari Lear Kurti vdiq pasi gëlltiti qeset me kokainë për të mos ia kapur policia 

Ekspertiza ligjore zbardh shkakun e vdekjes së 32 vjeçarit Lear Kurti. Burime zyrtare nga mjekësia ligjore bëjnë me dije se I riu ka gëlltitur kokainë që i kanë shkaktuar vdekjen.

Thuhet e ka pasur dy qese me kokainë dhe i ka gëlltitur me qëllim që të mos ia kapte policia e cila ishte vënë në ndjekje të tij, informon gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi


Ora 10:26 Vdekja e 32 vjeçarit "përplas" AMP dhe Traumën, spitali: Erdhi i pajetë, nuk e prekëm trupin

Teksa në deklaratën e saj sot, AMP deklaroi se 32 vjeçari Lear Kurti ishte dërguar në spital pas shqetësimeve në gjendjen shëndetësore dhe ka humbur jetën aty, burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se i riu ka mbërritur pa shenja jete.

Në bazë të procedurave në raste të tilla, kur një person mbërrin pa shenja jete dhe konstatohet që ka humbur jetën, mjekët e kanë të ndaluar ta prekin apo të bëjnë ndërhyrje në trupin e tij.

Gazetarja e Ora News Anxhela Celibashi raporton se edhe në këtë rast ka ndodhur e njëjta gjë, dhe mjekët nuk e kanë prekur trupin e pajetë. Ata e kanë dërguar trupin në morgun e spitalit "Nënë Tereza".

Ora 09:26 Vdekja e 32 vjeçarit pas ndalimit/ Policia mohon të ketë ushtruar dhunë, nuk u mor as në pyetje

Vdekja ende e paqartë e të riut pas ndalimit nga policia mbrëmjen e 19 tetorit 2022 tronditi opinionin publik.

Nga ana e policisë është deklaruar se Lear Kurti 32 vjeç ka mbërritur me shenja të rënduara shëndetësore në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë.


Ora 09:14 Detaji/ Humbi jetën pasi e ndaloi policia, 32 vjeçari mbërriti i vdekur në spitalin e Traumës

Detaje të reja kanë dalë nga vdekja e mistershme e 32 vjeçarit që u ndalua nga një patrullë policie për kontroll, në Tiranë, mbrëmjen e 19 tetorit 2022

Mësohet se i riu i identifikuar si Lear Kurti ka mbërritur pa shenja jete në Spitalin e Traumës, informon gazetari i Ora News Edison Vatnikaj.

Tiranë: 32 vjeçari, Leart Kurti vdes në duart e policisë.


Ora 07:25 Tiranë: 32 vjeçari tenton të ikë, vdes pasi e ndaloi policia

Një 32 vjecar ka ndërruar jetë, mbrëmjen e djeshme (19 tetor 2022) në Tiranë, pasi u ndalua për kontroll nga policia por u largua me shpejtësi, me vrap.

Pavarësisht kësaj, i riu i identifikuar si Lear Kurti, arriti të kapej, por shfaqi probleme shëndetësore gjatë shoqërimit në komisariat.

Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP) informoi se i riu ishte dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ku dhe humbi jetën. 

"Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë," njoftoi sot (20 tetor 2022) AMP

Hetimet

Ende nuk dihen shkaqet nga se humbi jetën ndërsa AMP, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.

Incidenti tjetër

Nuk është hera e parë kur një person humb jetën në komisariatin nr 3. Më 23 maj 2022 polici Ludian Zaimi vrau  kolegun,  Çaush Saliasi,  brenda në komisariat. E qëlloi me 5 plumba me armën e shërbimit.