"Ullinj ka, punëtorë jo" Në Lalarit të Fierit kultivuesit pa fuqi punëtore

Fermerët në vend vijojnë të ankohen për mungesën e tregut për prodhimet e tyre. Në Lalarit të Fierit, kultivuesit e ullirit shprehen se jo vetëm nuk kanë ku ta shesin prodhimin e tyre por edhe nuk po gjejnë njerëz që ta punojnë tokën. Ata apelojnë shtetin që të ndërhyjë për tu ardhur në ndihmë ose në të kundërt thonë se po falimentojnë.

Zona e Lalarit në Fier njihet për kultivimin e dhjetëra hektarëve me ullinj.

Fermerët e Lalarit thonë se prodhimi ka qenë i madh këtë vit.

"Prodhimi është i mbarë," tha një fermer.

Problem për ta mbetet fuqia punëtore, pasi ata thonë se të gjithë të rinjtë janë larguar, dhe s’ka më kush të kujdeset për ullinjtë.

"Të gjithë të rinjtë kanë ikur. Ka mbetur vetëm mosha jonë tani. Nuk ka më. Çdo shtëpi ka dy veta, kanë ikur të gjithë jashtë.

Ka njerëz që kërkojnë fuqi punëtore. Janë të moshuar, pensionistë. Fëmijët janë larguar. Të dalësh në fshat nuk shikon të rinj. Vetëm nxënës shkollash, që shkojnë në shkollë të mesme. Pas asaj…," thonë banorët.

Kultivuesit thonë se po punojnë vetë me vjeljen dhe përpunimin e ullirit.

"Punojmë vetë, burrë e grua. Fëmijët i kemi jashtë, në Itali," tha një fermer.

Mungesa e tregut, dhe e pikave të grumbullimit po I çon ata drejt falimentimit.

"Ka ngelur i shkretë malli tani. Sa jemi ne, dot i mbajmë, po pastaj…Mosha të reja s'ka më. Kanë ikur të gjithë," tha një banor i moshuar.

Anembanë vendit fermerët kanë shprehur ankesa të herë pas hershme që lidhen kryesisht me mungesën e ndihmës nga shteti dhe fuqinë puëntore.

"Ullinj ka, punëtorë jo" Në Lalarit të Fierit