Rrezikon të mungojë në Kupën e Botës, Messi ndihet i frikësuar

Lionel Messi e pranon që ideja e një dëmtimi të mundshëm në prag të Kupës së Botës e shqetëson përditë. Në një intervistë dhënë orët e fundit, numri 10 thekson se rastet Dybala e Di Maria e kanë bërë të jetë më i kujdesshëm.

35-vjeçari që ka mundësinë e fundit për të fituar një Kupë Bote, nuk është aktivizuar gjatë dy ndeshjeve të fundit për shkak të një problemi të vogël.

"Dëmtimet janë një shqetësim i madh. Ky është një botëror ndryshe që luhet në një periudhë të pazakontë prandaj çdo gjë e vogël që mund të të ndodhë, mund të të nxjerrë jashtë Kupës së Botës.

Kur shikon se çfarë u ndodhi Dybalas dhe Di Marias frikësohesh. Gjëja më e mirë që mund të bësh është të vazhdosh të luash siç ke bërë gjithmonë. Shpresoj që Dybala dhe Di Maria të rikuperohen në kohë. Kanë ende kohë për të qenë gati në fillim të botërorit".

Sulmuesi i Juventusit, Angel di Maria ka shanset më të mëdha për të qenë gati në Katar, ndërsa Dybala ka pësuar një dëmtim më të rëndë dhe do ta ketë shumë të vështirë.